Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot pasdite delegacionin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Kroacisë, të kryesuar nga Miro Kovač, Kryetar i Komisionit. Ruçi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë rrugëtimit europian të Shqipërisë. “Kroacia është një prej 13 shteteve që sot i kanë kërkuar Këshillit Europian hapjen e menjëhershme dhe pa kushte të negociatave me Shqipërinë, siç rekomandoi Komisioni Europian, dhe ne jemi shumë mirënjohës për këtë nismë”, u shpreh Kryetari i Kuvendit.
Ruçi vlerësoi gjithashtu “bashkëpunimin politik të shkëlqyer midis të dy vendeve, i konkretizuar në vizita të nivelit më të lartë si edhe në nënshkrimin e 46 marrëveshjeve midis Shqipërisë dhe Kroacisë.” dhe shtoi se “edhe bashkëpunimi ekonomik duhet t’i afrohet nivelit të shkëlqyer të bashkëpunimit politik midis të dy vendeve.”
Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme, Miro Kovač, nënvizoi se Kroacia ka qenë dhe do të jetë në mbështetje të Shqipërisë. “Ne po mbështesim integrimin tuaj në BE ashtu siç kemi mbështetur fuqishëm anëtarësimin në NATO. Jemi të bindur që Shqipëria ka bërë një progres të jashtëzakonshëm, po ecën në rrugën e duhur dhe vendi i saj është në Bashkimin Europian. Negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të çelen shumë shpejt dhe ne do tju mbështesim gjatë gjithë procesit. Të gjithë jemi të një mendimi se Shqipëria po ndërton një shoqëri demokratike dhe efiçiente”vuri në dukje Kovač.