Një konferencë për shtyp e thirrur sot nga Presidenti i Republikës ka ngjallur hamendësimet në media se mos Ilir Meta do të deklarojë shpërndarjen e Kuvendit të Shqipërisë.
Ky hap i mundshëm shihet si një ‘hakmarrje’ teksa ligjvënësit kanë nisur procedurat për shkarkimin e kreut të shtetit, por edhe si një sulm ndaj Parlamentit nën pretendimin se nuk është legjitim me 122 mandate.
Por çfarë thotë Kushtetuta mbi procedurën e shpërndarjes së Kuvendit? Për herë të parë në faqet e ligjit themelor të shtetit, fjala ‘shpërndarje’ haset në Nenin 65. Kjo pikë jep përgjigje për zgjedhjen dhe afatin e Kuvendit duke shprehur se: Në rast shpërndarjeje të Kuvendit para përfundimit të mandatit të tij të plotë, zgjedhjet thirren jo më vonë së 45 ditë pas shpërndarjes së tij. Ndërsa në Nenin 66 theksohet se: Mandati i Kuvendit zgjatet vetëm në rast lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo. Kur Kuvendi është i shpërndarë, ai rithirret vetiu.
Por kur janë rastet që Presidenti mund ta kryejë këtë akt?
Në fakt një nga rastet është kur dështojnë për të pestën herë tentativat për të zgjedhur Presidentin e ri. Neni 87 i Kushtetutës thekson se: Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet.
Pika më interesantë në këtë nen është vazhdimi i tij, që thotë: Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.
Që në kushtet e sotme të Shqipërisë ku opozita nuk kërkon zgjedhje të parakohshme, një shpërndarje në çfarëdo situate nuk do t’i vinte në ndihmë ‘paqes’ politike.
Një rast tjetër është ai kur Kryeministri nuk merr votëbesimin e Kuvendit. Neni 96 parahsikon se: Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë një kryeministër të ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin.
Të dy rastet mësipërm janë të pavlerë për aq kohë sa Shqipëria i ka të zgjedhur nga Kuvendi si Presidentin, ashtu edhe Kryeministrin.
Ndërkohë Neni 104 shprehet se Kryeministri ka të drejtë t’i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri brenda 48-orëve nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit.
Këto janë të vetmet raste kur Presidenti mund të shpërndajë Kuvendin. Herë si pasojë e dështimit të zgjedhjes së tij apo Kryeministrit, dhe herë me kërkesë të këtij të fundit pas humbjes së mocionit të besimit.
/a.rada