Udhëheqësi Suprem i Iranit thotë se vendi i tij nuk do të heqë dorë nga programi i raketave, pasi Shtetet e Bashkuara thanë javën e kaluar se janë e gatshme të negociojnë me Iranin. Ajatollah Ali Khamenei tha në një fjalim në televizion shtetëror të martën, se “ky mashtrim politik nuk do t’i mashtrojë zyrtarët iranianë dhe kombin iranian”.
Komentet e zotit Khamenei u bënë në 30 vjetorin e vdekjes së themeluesit të Republikës Islamike të Iranit, Ayatollah Ruhollah Khomeinit dhe një javë pasi Presidenti i SHBA Donald Trump i bëri thirrje Iranit të negociojë një marrëveshje të re. Zoti Trump tha se Irani “ka një shans për të qenë një vend i shkëlqyer duke patur të njëjtën udhëheqje” dhe se “Ne nuk duam të ketë armë bërthamore”.
Irani ka thënë më parë se SHBA duhet të kthehen tek marrëveshja e negociuar bërthamore, përpara se të fillojnë bisedime të reja.
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit u përshkallëzuan muajin e kaluar, një vit pasi Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga një pakt midis Iranit dhe fuqive globale për të kufizuar programin bërthamor të Teheranit në shkëmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.
Zoti Khamenei tha se sanksionet e Shteteve të Bashkuara kanë ndikuar negativisht tek Irani dhe i kanë bërë kushte më të mira ekonomike përparësinë e lartë të qeverisë./l.m