Bastisjet e policisë në shtëpinë dhe zyrën e një gazetari në San Francisko kanë ndezur një debat mbi lirinë e shtypit dhe ka çuan në thirrje për dorëheqjen e shefit të policisë së qytetit.
Bastisjet, të cilat ndodhën më 10 maj, erdhën si rezultat i një raporti policor që ishte siguruar nga gazetari i pavarur, Bryan Carmody. Gazetari u mbajt në pranga për më shumë se pesë orë pasi policia konfiskoi celularët, USB-të, kamerat dhe kompjuterat e tij.
Raporti i rrjedhur tek gazetari, kishte të bënte me vdekjen në shkurt të avokatit publik të qytetit, Jeff Adachi, një kritik i ashpër i Departamentit të Policisë në San Francisko. Një autopsi zbuloi se vdekja e zotit Adachit në moshën 59 vjeçare u shkaktua nga kokaina dhe alkooli, duke rënduar sëmundjen e tij të zemrës. Raporti thuhet se përmbante detaje të fshehta të orëve të fundit të avokatit Adachit.
Shefi i policisë Bill Scott fillimisht i doli në mbrojtje bastisjeve, të cilat u zhvilluan sipas disa urdhrave, dhe akuzonin Karmody-n për përfshirje në një komplot për të vjedhur raportin. Por në një deklaratë të datës 24 maj, zoti Scott kërkoi falje dhe vuri në pikëpyetje nëse hetuesit e departamentit të tij e kishin konsideruar si duhet “statusin e Carmody-it si anëtar të medias “.
Zoti Scott bëri thirrje për një hetim të pavarur mbi bastisjet dhe publikimin e raportit.
Shoqata e Oficerëve të Policisë në San Francisko ka bërë thirrje për dorëheqjen e zotit Scott, ndërsa dy zyrtarë kryesorë në komisariatin e policisë kanë mbështetur shefin e policisë dhe kanë vlerësuar punën e tij.
Sipas Amendamentit të Parë të Kushtetutës amerikane, gazetarët gëzojnë mbrojtje për mbledhjen e informacioneve. Dyzet shtete, duke përfshirë Kaliforninë, sigurojnë mbrojtje shtesë nëpërmjet ligjeve të ashtuquajtura mburoja, të cilat lejojnë gazetarët të mbrojnë burimet e tyre. Të gjitha shtetet, përveç Uajoming ofrojnë disa mbrojtje për gazetarët sipas ligjit.
Në këtë rast bëhet fjalë për “privilegjin e gazetarit” – ideja që komunikimet e gazetarëve me burimet konfidenciale duhet të mbrohen për të mbrojtur rrjedhën e lirë të informacionit në një demokraci.
Disa e refuzojnë nocionin dhe thonë se gazetarët duhet të jenë subjekt i thirrjeve të detyruara dhe urdhrave të bastisjeve si gjithë të tjerët.
Fjala e Lirë kundrejt mbrojtjes së burimeve
Amendamenti i Parë i Kushtetutës Amerikane thotë – Kongresi nuk do të miratojë asnjë ligj për institucionet fetare, që ndalon ushtrimin e lirë të veprimtarive të tyre; që kufizon lirinë e fjalës ose të shtypit; apo të drejtën e njerëzve për t’u mbledhur në mënyrë paqësore dhe për të kërkuar nga qeveria një korrigjim të ankesave.
Kushtetuta nuk shprehet në mënyrë specifike për një privilegj të veçantë për gazetarët për të mbrojtur burimet e tyre. Në fakt, shumë gazetarë janë dërguar në gjyq dhe dhjetra kanë shërbyer kohë dënimii për shkelje të urdhrave të gjykatës.
Ish-gazetarja e New York Times Judith Miller kaloi 85 ditë në burg në vitin 2005 pasi refuzoi të dëshmonte për një rrjedhje informacioni të sigurisë kombëtare. James Risen, gjithashtu ish-gazetar i New York Times, u ballafaqua me një betejë shtatëvjeçare kundër administratave Xhorxh W. Bush dhe Obama për refuzimin e emrit të një burimi konfidencial në një rrjedhje të informatave kombëtare të zbulimit. Qeveria përfundimisht hoqi dorë nga përpjekjet e saj kundër tij.
“Gazetarët janë vërtet të pambrojtur duke u detyruar të zbulojnë burimet e tyre” bazuar në ligjin federal, thotë Genevieve Lakier, një specialiste juridike për Amendamentin e Parë në Universitetin e Çikagos. “Kjo është arsyeja përse ka kaq shumë ligje shtetërore mburojë”.
Bastisja dhe sekuestrimi i pasurisë së gazetarit “shkon kundër mbrojtjes thelbësore për lirinë e shtypit në këtë vend … gazetarët duhet të jenë në gjendje të mbrojnë burimet e tyre dhe … të mbledhin lajme pa frikën se do të vihen në pranga” thotë Alexandra Ellerbeck e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.
Gjykatat ofrojnë një nivel mbrojtjeje
Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara krijoi një model për mbrojtjen e burimeve të lajmeve në çështjen “Branzburg kundër Hayes”. Në këtë çështje gjyqësore të vitit 1972 përfshihej korrespondenti Paul Branzburg, i cili nuk pranoi të dëshmojë përpara një jurie të madhe, për të mbrojtur burimet e artikujve të tij për drogat e paligjshme.
Gjykata vendosi 5 me 4 kundër një privilegji të posaçëm për gazetarët, por një opinion i paraqitur nga Gjykatësi Lewis Powell la të hapur mundësinë e një privilegji për mediat në të ardhmen.
Ai pati shkruajtur se “pretendimi për këtë privilegj duhet të gjykohet në bazë të fakteve, duke arritur balancën e duhur mes lirisë së shtypit dhe detyrimit të të gjithë qytetarëve për të dhënë dëshmi të vlefshme për një shkelje penale”. Gjykatësi Powell bëri thirrje për një balancim të interesave konkurruese sipas secilit rast. Komentet e tij janë përdorur nga gjykatat e niveleve më të ulëta për të vendosur rreth privilegjit të shtypit.
Ligji federal për Mbrojtjen e Privatësisë, i vitit 1980, ofroi mbrojtje të mëtejshme për mediat, duke kufizuar mundësitë e autoriteteve për marrjen e materialeve nga redaksitë e lajmeve.
Pyetja thelbësore: Kush është gazetar?
Jim Wheaton është themelues dhe këshilltar i lartë i “First Amendment Project”, një firmë ligjore për interesat publike në Oakland, të Kalifornisë. Ai thotë se zoti Camordy ishte qartësisht i mbrojtur nga ligji i Kalifornisë, i cili përcakton se gazetarët “nuk mund të dënohet për mospërfillje të gjykatës… në rastet kur refuzojnë të zbulojnë burimin e të dhënave”.
Në dallim nga shumë vende të tjera, për të punuar si gazetar në Shtetet e Bashkuara nuk nevojitet një dokument i lëshuar nga qeveria.
Shumë mbështetës të Amendamentit të Parë thonë se blogerët dhe korrespondentët e internetit janë gjithashtu të mbrojtur, megjithëse zbatimi i ligjeve mbrojtëse për faqet e lajmeve online nuk është testuar ende në gjykatë.
Anëtari i atëhershëm i Gjykatës së Lartë, Gjykatësi Byron White, shkruajti një opinion të shumicës për rastin “Branzburg”, ku shprehet se nëse njihet ky privilegj, “herët apo vonë, do të ishte i nevojshëm përcaktimi i kategorive të punonjësve të mediave që kualifikohen për këtë privilegj”. Kjo do të ishte “një procedurë e diskutueshme”, shprehej Gjykatësi White.
Gjatë dekadave që pasuan këtë vendim, Gjykata e Lartë e ka shmangur këtë çështje, thotë zonja Lakier.
Mbështetësit e mediave mburren se Shtetet e Bashkuara kanë mbrojtjen më të fortë në botë për gazetarët. Por, zonja Lakier thotë se “kur bëhet fjalë për interesat e sigurisë kombëtare, kur bëhet fjalë fuqitë hetimore të qeverisë, gjykata nuk ka patur aspak dëshirën të përdorë masat mbrojtëse të Amendamentit të Parë. Për rrjedhojë, gazetarët janë të pambrojtur”.
Zonja Lakier vë në dukje se historiku është më i shumëllojshëm në çështjet civile dhe penale.
Grupi “Gazetarët Pa Kufij” i radhit Shtetet e Bashkuara në vendin e 48-të në indeksin e lirisë së shtypit, duke cituar probleme si “retorika kundër mediave” e zyrtarëve të lartë amerikanë, përfshirë Presidentin Donald Trump, sulmet fizike ndaj gazetarëve, hetimi nga prokurorët i informatorëve, bazuar në Ligjin për Spiunazhin, si dhe kontrolli i dosjeve të gazetarëve gjatë kalimit në kufi.
Kundërshtarët e privilegjit të shtypit thonë se hartuesit e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara nuk synuan kurrë të krijonin një klasë të mbrojtur të qytetarëve, por të tjerë thonë se mbrojtja e gazetarëve dhe burimeve të tyre konfidenciale është në interesin e publikut.
A duhet një mbrojtje ligjore federale?
Zonja Lakier thotë tani ndoshta ka ardhur koha për një ligj mbrojtës federal, gjë që ajo thotë se nuk patur mbështetjen e duhur në të kaluarën, por që mund të forconte dhe qartësonte arnat mbrojtëse të ofruar nga Kushtetuta dhe ligjet e shteteve.
Zoti Wheaton bie dakort se një ligj mbrojtës federal mund të mbrojë gazetarinë, por shqetësohet se mund të jetë joefikas nëse lejon përjashtime për rastet e sigurisë kombëtare, siç ka ndodhur shpesh në propozime të shkuara.
Kjo nuk u paraqit si problem në rastin “Camody”, por është një faktor në shumë nga artikujt e bazuar në rrjedhje të informacionit në Uashington, që është epiqendra e shumë prej çështjeve të Amendamentit të Parë.(VOA)