Deklaratat raciste ndaj shqiptarëve i kushtuan shtrenjtë kryeministres serbe Ana Bërnabiç. Për shkak të kësaj gjuhe në MPJ-në e Kosovës po thonë se këmba e saj nuk do të shkel më kurrë në Kosovë. Gazeta Express ka kontaktuar Zyrën e Përfaqësues së Lartë të BE-së e cila e ka dënuar deklaratën e shefes së Qeverisë së Serbisë se shqiptarët janë “njerëz të malit”
Kryeministrja serbe Ana Brnabiç, nxiti reagime të shumta kur tha se shqiptarët “janë njerëz të dalë nga mali” duke aluduar në liderët që ishin pjesë e UCK-së. Këtë e tha në prani të shefit të delegacionit të BE-së në Serbi, Sem Fabrizio.
Liderët kosovarë, përfshirë presidentin Thaçi kërkuan që BE të dënojë gjuhën raciste të kryeministres serbe.
Gazeta Express përmes e-mail ka komunikuar me Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Shefes së Diplomacisë së BE-së. E pyetur rreth qëndrimit të BE-së ndaj deklaratës së Bërnabiç për shqiptarët, ajo thotë se çdo retorikë fyese është në kundërshtim me qasjen bashkëpunuese dhe pajtuese ndërmjet dy shteteve.
“Çdo retorikë që është fyese, konfrontuese dhe përçarëse bie në kundërshtim me qasjen bashkëpunuese dhe pajtuese, për të cilën rajoni ka nevojë për të ecur përpara”, thotë Kocijançiç.
Zëdhësja e BE, thekson se dialogu Kosovë-Serbi ka filluar para tetë vjetëve dhe duhet të përfundojë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve.
“Siç theksoi Përfaqësuesja e Lartë dje, ngjarjet e ditëve të kaluara tregojnë qartë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, i cili ka filluar para më shumë se tetë vjetësh, duhet të përfundojë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, e cila do të jetë frytdhënëse, e qëndrueshme dhe afatgjate. Status-kuoja thjesht nuk është opsion”, thuhet në përgjigjjen e Koçijançiç.
g.kosovari