Nga Ilir Yzeiri
Gjithnjë e më shumë po bindem se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm jo vetëm për natyrën, klimën, por edhe për spektaklet që prodhon. Kadareja ynë i famshëm është gjeniu i papërsëritshëm qw me intuitën e tij e ndieu qysh në fëmijëri se po jetonte në një vend që prodhonte në mënyrë magjike ngjarje e personazhe që kishin dy shenjueshëmëri : tragjike dhe komike, sureale dhe fantazmagorike. Ndoshta, ai është i vetmi shkrimtar që lexoi në mënyrë brilante tekstin e vërtetë që shkruanin shqiptarët me historinë e tyre. Dhe, i magjepsur prej saj, ai vetëm na e tregoi këtë narrativë.
Kjo duhet të ketë qenë arseyeja pse Arshi Pipa, një tjetër shkrimtar, studiues, kritik dhe albanolog i famshëm, i cili vuajti në mënyrë makabre dhunën nga regjimi komunist që u instalua në Shqipëri, duke bërë burg politik, pra, një kundërshtar i egër i regjimit në të cilin Kadareja zhvilloi veprimtarinë e tij, në vitin 1987 boton te revista « Tale » në New York shkrimin « Subversion mbi konformizmin, fenomeni Kadare ». I magjepsur, sidomos nga romani « Kronikë në gur », ai shkruan, veç të tjerash, se Kadareja ka vizuatuar qytetin e tij të Gjirokastrës si të ishte një shkrimtar frojdist apo neofrojdist i klasit të lartë. Në atë qytet thotë ai, nipi vret xhaxhain në sofër, një vajze të bukur i del mjekra, një burgamadh mërzitet me jetën në liri dhe i drejtohet burgut, një delirant pretendon se ka ndërtuar avionin prej druri. Një hermafrodit vendos të kthehet në gjininë që mbante fshehur dhe viziton bordellon e qytetit e kështu me radhë.
Kur kam lexuar këtë kritikë të Arshi Pipës, jam bindur edhe njëherë për gjenialitetin e Kadaresë, por jo vetëm, kam menduar se vetëm një gjeni mund të hetojë dhe mund të rrëfejë narrativën e vendit të tij ashtu siç ka bërë Kadareja. Nuk ka asnjë regjim politik që mund ta dëmtojë atë gjenialitet. Por kjo është një histori tjetër.
E gjithë kjo m’u kujtua këto ditë duke ndjekur zhvillimet politike në Shqipëri. Mua jo vetëm që nuk më shqetëson patetizmi dhe retorika e vrazhdë e agresive e opozitës, por më zbavit. Studiot televizive që u ngjajnë skenave të teatrove absurde apo atyre eksperimentale, janë një art më vete. Të gjithë e dinë subjektin e dramave apo komedive që luhen aty dhe si spektatorw shijojnë lojën e aktorëve. Dikush kujton luftën, një tjetër zbulon lidhjet e padukshme me agjenci të jashtme që ai i ka hetuar duke dëgjuar apo duke deshifruar kodet e pazbërthyeshme të ligjërimit të Tit Vasilit. Pjesa më zbavitëse janë dosjet dhe etja për të shpjeguar botën me zbërthimin e kodeve numerologjikë. Sapo ti mësohesh me numrta e dy dosdjeve del një dosje tjetër.
Sipas Aristotelit që tragjedia të ketë efekt, konflikti tragjik duhet vendosur brenda familjes, brenda gjakut. Përbindëshi që ka zaptuar Abanistanin tani është i rrethuar me shqyta e heshta dhe nuk ka më shpëtim. Atëhere kur të gjithë sjellin në mendje betejat e zhvilluara në fushë të hapur mes përbindëshit që ka gllabëruar atdheun dhe e përtyp atë si një çamaçakëz dhe luftëtarëve të lirisë që janë të veshur me një uniformë që të kujton xhingla-mingat, zhile-zhon apo jelekverdhët, pikërisht në këtë kohë jelekverdhët kthehen në gushëverdhë, në zogj që cicërijnë për paqe dhe mbrothësi, në pëllumba që do t’i kishte zili edhe Evropa e plakur.
Mirëpo, asgjë nuk është ashtu siç duket. Sapo beteja në fushën e luftës fashitet ajo ndizet nëpër skenat ku luhen komeditë surealiste televizive dhe aty luftëtarët nisin të tregojnë vazhdimin e luftës dhe parashikojnë fundin tragjik të Përbindëshit që po përtyp atdheun si çamçakëz. Nis dialogu sureal, përplasjet trup me trup ose fjalë për fjalë. Të gjithë kanë sjellë hartat e vendosjes së trupave për rrëzimin e atij që i ka futur thellë në dëshpërim dhe aty bëhet planifikimi i betejave të ardhshme.
Dikush thërret në ndihmë një varg popullor, një tjetër një histori nga lufta e boerëve dhe pikërisht atëhere kur fundi i atij që u ka prishur drjetpeshimin duket i afërt, vjen lajmi fatal: himnin kombëtar nuk do ta këndojë më prijësi i opozitës, por një tenor. Kjo është më shumë se tragjedi thotë dikush nga salla. Ndërsa shumica e spektatorëve e ndien se komedisë, mesa duket, i ka ardhur fundi.