Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kandidat zyrtar tashmë edhe për një mandat të dytë, gjatë një interviste për “Vizioni i pasdites” thekson se zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor dhe se qytetarëve nuk mund t’u mohohet e drejta për të marrë shërbime nga bashkia. Kryebashkiaku Veliaj shpreh bindjen se 30 qershori do të jetë realisht një manifestim qytetar.
“Kemi një datë të shënuar për qytetin, në datën 30 qershor. Data 30 qershor, ose data e zgjedhjeve nuk është e drejta e partive të zgjedhin popullin, por është e drejta e popullit të zgjedhë politikanët, bashkiakët, këshilltarët bashkiakë. Kur shoh disa parti që thonë – S’duam të bëhet tani, por të bëhet pastaj – praktikisht i thonë punëdhënësit – mua më ka mbaruar kontrata, por hajde se flasim më vonë. Nëse të ka mbaruar kontrata duhet të shkosh te punëdhënësi, edhe u në televizion dhe të thoni – Kam punuar mirë, e meritoj një shtesë të kontratës. Ndaj edhe mezi pres që në datën 30 qershor të jetë realisht një manifestim qytetar. Të votojnë për mua, të votojnë për zotin Skënderi, kjo nuk ka fare rëndësi, por rëndësi ka që për gjërat që ne i kemi afër zemrës sonë, siç janë fëmijët, kopshtet, shkollat, çerdhet, hapësirat e gjelbra, ta themi fjalën tonë. Duam që kjo të vazhdojë, apo duam një drejtim tjetër, edhe për këtë besoj që Tiranës i ka hije një sjellje qytetare”, theksoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë shpreh bindjen se Tirana do e kalojë edhe këtë moment dhe do t’ia dalë të qëndrojë krenar sikurse ka treguar gjithmonë. “Mund të ketë përpjekje për të vandalizuar, apo për të injektuar një sens pasigurie por Tirana s’e ka ulur kurrë kokën, edhe një nga arsyet pse ky qytet qëndron krenar , ka kaluar fashizmin, nazizmin, komunizmin, kapitalizmin dhe ja ku është sot. Pra ky qytet i mbijeton çdo krize, ndaj jam i bindur që do e kalojë këtë ngërç me shumë dinjitet”, tha ai.