Raporti i Agron Tufës, i paraqitur ditën e sotme në Kuvend për veprimtarinë vjetore të Institutit për vitin 2018, ka sjell debate në sallë.
Deputeti Murrizi ka thënë se dosjet duhen hapur dhe ka hedhur akzua ndaj ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj se institucionet nuk japin informacion.
“Ju keni thënë se nuk na ka dhënë informacion Helidon Bendo, Bilbil Mema apo Sandër Lleshaj. Institucionet nuk japin informacion se kanë frikë se nxjerrin pisllëqet e tyre. Ndaj kanë frikë që të bëjnë një ligj për hapjen e dosjeve. Dosjet duhen hapur për politikën, boll më të ketë spiunë në këtë sallë. Duhet të hapen me zot. Sill propozimin për ligjin”, tha Myslim Murrizi.
Por i menjëhershëm ishte reagimi i ministrit i cili i ka thënë deputetit të opozitës se nuk ka marrë asnjë kërkesë për informacon.
“Raporti është i vitit 2018 dhe unë nuk kam qenë ministër i Brendshëm. Në 2018 nuk kam qenë ministër dhe deri sot nuk kam marrë asnjë kërkesë për informacon dhe që të mos i jem përgjigjur. Ligji për hapjen e dosjeve u miratua kur ishte bërë e panevojshme. Sa i përket ministrisë së Brendshme, nuk ka asnjë pengesë jo instituti, por as qytetarët për t’u njohur me dosjet. Ish-drejtori i Arkivit të ministrisë publikon për ditë dosje, prandaj hajdeni kur të doni në ministrinë e Brendshme”, deklaroi Lleshaj.
Por debatit i është bashkuar edhe deputeti socialist Spartak Braho i cili i është drejtuar ministrit se kushdo që ka nevojë apo interes për dokumentet që keni, por ka një ligj që duhet ta njihni mirë, që informacion është i klasifikuar, prandaj mos e bëni ministrinë han.
“Bëni mirë që jeni i hapur për të studiuar kushdo që ka nevojë apo interes për dokumentet që keni, por ka një ligj që duhet ta njihni mirë, që informacion është i klasifikuar, prandaj mos e bëni ministrinë han që të kërcejnë tërë mileti. Se keni ju nja dy hajdutë aty, Dervishi dhe Kaloci që kanë vjedhur arshivën e ministrisë dhe mbushin shtypin. Asnjë nuk e dinë që ekzistonte ky i ashtëquajturi Institut i Studimeve të Komunizmit, por meqë është mirë bëhet dhe jam dakord që të ekzistojë. Kjo situatë u krijua gjatë shqyrtimit të një rezolute në Komisionin e Ligjeve”, tha Braho.
g.kosovari