Një vit pas vrasjes së Mario Majollarit, autori i dyshuar është vetëm një hap larg lirimit nga qelitë e paraburgimit. Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Tiranës i është drejtuar gjykatës me kërkesën për pushimin e cështjes për Kastriot Gjuzin, me argumentin se nuk provohet të jetë ai autori i krimit që tronditi kryeqytetin. Seanca paraprake për shqyrtimin e cështjes, është caktuar të zhvillohet me 28 maj. Gjyqtari paraprak ka thirrur në proces edhe palën e dëmtuar, në rastin konkret nënën e të ndjerit Mario Majollari.
Familjarët kanë shprehur shqetësim për lirimin e të dyshuarit dhe këmbëngulin që vrasja dhe motivet e saj të zbardhen, përderisa 28-vjecari nuk kishte konflikte me askënd.
Kastriot Gjuzi u arrestua në Kosovë, me iniciativën e policisë, pa kaluar as 48 orë nga krimi i rëndë. Ai dyshohej se e ekzekutoi 28-vjecarin për motive gjakmarrje, pasi babai i Mario Majollarit i kishte vrarë vëllain Ilir Gjuzi në vitin 2000. 12 orë pas vrasjes së Majollarit, policia deklaroi se kishte hedhur dritë mbi motivet e ekzekutimit të të riut dhe kishte identifikuar e shpallur në kërkim autorin e dyshuar, i cili u ndalua më pas në shtetin e Kosovës./ i.h