Edhe pse nuk janë regjistruar në zgjedhjet e 30 qershorit, dy partitë më të mëdha në opozitë kanë vendosur të regjistrojnë anëtarët e tyre në çdo KZAZ.
Sekretari për Çështjet Zgjedhore të PD-së, Ivi Kaso, dhe përfaqësuesi i LSI-së depozituan në KQZ emrat e tyre dhe do të jetë vendimi i KQZ që do ta zyrtarizojë këtë kërkesë të opozitës.
Por duket se PD dhe LSI kanë bërë disa kalkulime për ta penguar procesin zgjedhor përmes komisionerëve, dhe për këtë i vjen në “ndihmë” interpretimi i ligjit. Shkarkimi i komisionerëve duket se është pothuajse i pamundur pasi në asnjë rast nuk e parashikon nëse ata ikin në momentin e fundit, raporton tirananews.al.
“Anëtarët dhe sekretari i KZAZ-së lirohen nga detyra me vendim të KQZ-së kur:
a) kanë marrëdhënie krushqie të afërt ose gjinie deri në shkallë të katërt me ndonjërin nga kandidatët që konkurrojnë në zonë;
b) janë në marrëdhënie pune me ndonjërin prej kandidatëve të përfshirë në listën shumemërore të një partie apo koalicioni që konkurron në zonë;
c) nuk plotësojnë më kushtet për të qenë zgjedhës;
ç) nuk kanë më vendbanimin e tyre në zonën zgjedhore;
d) subjekti zgjedhor që i ka propozuar kërkon zëvendësimin e tyre”, thuhet në nenin 31 të Kodit Zgjedhor.
Nëse një taktikë e tillë do të ndiqet edhe për komisionerët e qendrave të votimit, do e bënte pothuajse të pamundur mbajtjen e zgjedhjeve atë ditë për shkak të masivizimit të problemit.
Partitë e opozitës, përmes drejtuesve të tyre politikë, janë shprehur se zgjedhje në 30 qershor nuk do të ketë. Marrja e drejtimit të gjysmës së Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nga opozita dhe realizimi i një skenari të mundshëm për tërheqjen e tyre gjatë ditës së zgjedhjeve mund ta vendosë në pikëpyetje të gjithë procesin në 30 qershor.
/a.rada