Një miliard. Duket shifër shumë e lartë kur flasim për lekë, imagjinoni në euro. Pikërisht, një miliard euro është shifra që lehtësisht mund të arrihet në merkaton e verës me 10 transferime të mundshme.
Gazeta spanjolle “AS” ka ndërtuar skemën e valsit të blerjeve dhe shitjeve që mund të ndodhin në Europë. Italia në gjithë këtë skenar ka pjesën e saj dhe lehtësisht e mendueshme është prezenca e Juventusit që ka vendosur në shitje Paulo Dibalën, por që mund të konkurrojë për të rikthyer Pol Pogbanë dhe ndoshta për të blerë Kutinjon (të paktën 100 milionë euro).
GRIZMAN
Ky vals transferimesh nis të marrë jetë menjëherë me kalimin e Antuan Grizmanit te Barcelona, i cili dy ditë më parë komunikoi largimin nga Atletiko e Madridit në fundin e këtij sezoni. Pa bërë shumë parashikime, ky mund të jetë transferimi më i kushtueshëm i verës prej 125 milionë eurosh që do arkëtojë Atletiko e Madridit.
Të gjendur në këtë situatë, drejtuesit bardhekuq dhe Diego Simeone do të kërkojnë menjëherë pasuesin e tij. Paulo Dibala është një emër që pëlqehet shumë në Madrid dhe kartoni i tij vlerësohet 100 milionë euro nga Juventusi. Nuk mbetet pas edhe Mauro Ikardi, për të cilin Interi mund të bëjë zbritje nga klauzola 110 milionë euro, duke parë formën e dobët që po kalon.
HAZARD
Një peshë të rëndësishme të këtyre xhirove në merkaton e verës do ta ketë Reali i Madridit dhe presidenti Florentino Perez, i cili është duke përgatitur revolucion në skuadër. Eden Hazard është thuajse çështje e mbyllur për 100 milionë euro dhe ka akordin me “shtëpinë e bardhë”.
Mesfusha madrilene do të ketë gjithashtu investime të rëndësishme. Kristian Eriksen mund të jetë njëri prej tyre (100 milionë euro), ndërsa tjetri mund të jetë Pol Pogba që po kalon moment të vështirë te Mançester Junajtid. Prezenca e Raiolës në këtë çështje e lidh francezin më shumë me Juventusin, por nuk është e lehtë.
Në vëzhgim nga Reali i Madridit, por edhe nga Mançester Siti, është edhe Xhejdën Sanço, zbulimi anglez me fanellën e Borusias së Dortmundit. Sanço vlerësohet 120 milionë euro në merkato, por shanset për të qëndruar në Gjermani edhe për vitin e ardhshëm janë të pakta.
E rëndësishme për të ardhmen e Realit është edhe revolucioni në dalje. Garet Bejl është i skarcuar nga Zinedin Zidan, por në Angli vazhdon të jetë i vlerësuar dhe Junajtid me Totenhemin e duan. Gjithashtu, edhe në Francë kërkojnë shërbimet e uellsianit, ashtu si ato të Iskos dhe Toni Krosit. Të dy këta të fundit kushtojnë nga 100 milionë euro.
JUVENTUSI
Në Itali dhe për Juventusin mund të flitet edhe për Zhoao Feliksin, i cili është ylli i ri portugez dhe ka klauzolë 120 milionë euro. Agjenti i tij, Zhorg Mendesh, ka folur me Paratiçin dhe Nedvedin, por për Feliksin ka interesim edhe nga Mançester Junajtid dhe Barcelona.
g.kosovari