Lulzim Basha e ka orientuar turmën drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë.
Kjo, pasi kreu i PD i cilësoi gjatë fjalës së tij si institucionet që përfaqësojnë dhunën.
***
Kryedemokrati Lulzim Basha ka nisur fjalën e tij mes tymuesve dhe kapsollave të hedhura drejt Kryeministrisë.
Lideri i opozitës akuzon shefin e qeverisë për dhunë. Ai nuk nguroi të sulmojë as policinë teksa i quajti kriminelë me uniformë.
Ai thotë se do t’i përgjigjet çdo provokimi dhe se protestuesit nuk i ndal asgjë.
“Shqipëria dhe kryeministri ilegjitim i dalë nga votat e blera me ndihmën e krimit të organizuar ju përgjigj thirrjes tonë me dhunë, provokime, rrahje, gaz lotsjellës e helmues.
Qindra mijëra bashkëqytetarë të Tiranës e ndjenë përgjigjen, zgjdhjen e vetme që ka ofruar Rama për plagën që i ka hapur këtij vendi. Përgjigjja e vetme e Edi Ramës ndja votës së lirë ishte dhuna.
Ky është një parlament ilegjitim, qeveri ilegjitime, kryeministër ilegjitim. Tash 2 vjet prokuroria ka vetëm një mision, të ndalë hetimin e dosjeve kriminale ku janë kapur Rama në bashkëpunim me kupolën e mafias, për të blerë më të shtrenjtën vlerë që ka cdo shqiptar, votën e lirë.
Edi Rama vjedh shqiptarët, u vjedh taksat, u vjedh pronat gjithçka, sepse nuk jep llogari askund përveç se tek krimi i organizuar.
Dhunë ndaj sipërmarrjes, ndaj administratës, dhunë ndaj të papunëve, ndaj të rinjve dhe vogëlushëve, dhunë ndaj vogëlushëve të Unazës.
Dhuna është e vetmja zgjidhje që ofron EdI Rama. Jemi sot në këtë marshim për të thënë qartë dhe prerë: E refuzojmë dhunën e qeverisë dhe i përgjigjemi me besimin tonë tek vlerat europiane, me fuqinë e bashkimit dhe vendosmërisë.
Nuk ka shqiptar që nuk e di se këtu kemi ardhur si rezultat i dhunës shtetërore, se dhuna shtetërore është produkt i dhunës zgjedhore. Sepse ajo është e vetmja mënyrë e Ramës për të marrë e për të mbajtur pushtetin.
Ne nuk jemi këtu për karrige e për pushtet, por jemi kundër dhunës, kundër krimit e kundër qeverisë së paligjshme të krimit.
Ejani me ne që ta çlirojmë Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni. Ne jemi në këtë betejë për kushtetutë, për ligj, për dinjitetin dhe lirinë e cdo shqitpari”, shprehet Basha.
***
Ka nisur grumbullimi i militantëve të PD-LSI para Kryeministrisë, ndërsa dalin edhe detaje të reja rreth organizimit.
Pavarësisht gjuhës së ashpër të ambasadave më të rëndësishme në vend, opozita joparlamentare ka vijuar aktet e dhunës duke hedhur fillimisht kapsolla dhe tymuese.
Marshimi ka nisur nga sheshi “Skënderbej” dhe përfundon te Drejtoria e Policisë së Tiranës.
“Itinerari i marshimit të protestës së thirrur nga opozita nis nga sheshi Skënderbej, më pas Kryeministria, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë- Parlamenti- Ministria e Brendshme- Drejtoria e Policisë Tiranë.
Simbolika e këtij marshimi proteste janë institucionet e kapura nga krimi- Parlamenti dhe Qeveria, si dhe institucionet që janë vegla të dhunës barbare policore mbi qytetarët dhe liritë e të drejta e tyre”, bënë me dije burime nga PD.
Ndërkohë në protestën e sotme mungon kreu i LSI, Monika Kryemadhi. Kjo për shkak të një vizite në SHBA, raportojnë burime për mediat. /a.r