Raportet e tensionuara diplomatike dhe ekonomike mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara kanë nxitur palën amerikane të rritë prezencën e vet ushtarake në Lindjen e Mesme.
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, Xhon Bolton, njoftoi se në komandën qendrore veriafrikane është pozicionuar një anije aeroplanmbajtëse dhe një skuadrilje bombarduesish të gatshëm për të ndërhyrë në çdo moment.
“Duam t’i dërgojmë regjimit iranian një mesazh të qartë dhe të palëkundshëm se çdo sulm mbi interesat e SHBA-së ose të aleatëve tanë do të përballet me forcë të papërmbajtshme. SHBA-ja nuk kërkon luftë me regjimin iranian, por jemi gati t’i përgjigjemi çfarëdo sulmi, qoftë i deleguar ose i forcave të rregullta iraniane”, deklaroi Bolton.
Një zyrtar amerikan anonimisht informoi se ushtria iraniane dhe terroristët e Gardës Revolucionare Islamike mund të jenë duke u mobilizuar për të goditur forcat amerikane në rajon.
Lëvizja e fundit e Uashingtonit vjen pak javë pasi presidenti Donald Trump njoftoi izolimin ekonomik të Iranit, përmes kufizimit të eksporteve të naftës.
Ndërkaq, për t’i bërë ballë këtyre sanksioneve, Irani ka njoftuar se do i shesë një pjesë të resurseve të veta hidrokarbure në tregjet jozyrtare.
Raportet mes dy kundërshtarëve janë përkeqësuar veçanërisht pas shkëputjes së njënashme të Amerikës nga traktati historik anti-bërthamor i vitit 2015, nisur nga aktivitetet e dëmshme që Irani mendohet se po ndërmerr në rajon.
g.kosovari