Pas dy takimeve në Berlin, kryeministri i Shqipërisë ka reaguar në rrjetet sociale.
Ai shprehet se nga dy zyrtarët gjermanë, Andrea Nahles dhe Johann Wadephul ka marrë mbështetje për arritjet e deritanishme të qeverisë.
Postimi i Edi Ramës në Twitter:
Dy takime shumë pozitive mbi Shqipërinë me kryetaren e SPD, Andrea Nahles, dhe nënkryetarin e Grupit Parlamentar të CDU, Johann Wadephul. Mesazh i qartë: Shqipëria meriton njohjen e arritjeve të derikëtushme, përmes çeljes zyrtare të negociatave për anëtarësim
***
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me Kryetaren e Partisë Socialdemokrate gjermane Andrea Nahles ku u diskutua procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Kryeministri e njohu zonjën Nahles me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe pritshmërinë për një përgjigje pozitive nga vendet anëtare të BE për hapjen e negociatave.
Zonja Nahles siguroi zotin Rama për mbështetjen e pakushtëzuar të grupit socialdemokrat për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Liderja e partisë socialdemokrate, njëkohësisht dhe kryetare e grupit parlamentar, përgëzoi Kryeministrin për reformat e ndërmarra dhe u shpreh besimplotë për një vendim pozitiv në qershor.
g.kosovari