Arsen Stojku dhe Mislim Rama, dy të rinjtë e dyshuar si bashkëpunëtorë të vrasjes së vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali do të dalin sot para gjykatës për masën e sigurisë. Ata u sollën në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër nën masa të rrepta policie.
Gjykata e Shkodrës është rrethuar nga forca të shumta policie për çështje sigurie. Më përpara, dy të akuzuarit kanë mohuar akuzat ndaj tyre, ndërsa pritet që edhe sot në gjykatë të mohojnë sërish akuzat.
Të rinjtë u arrestuan tre ditë më parë. Në kërkim janë dhe dy persona, njëri prej tyre si i dyshuari kryesor për vrasjen.
Hetimi
Në njoftimin e saj, Policia e Shkodrës tregon se vijon operacioni për gjetjen dhe kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim. Pas hetimeve intensive të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, rezulton se shtetasit e lartpërmendur kanë planifikuar, organizuar dhe kryer në bashkëpunim vrasjen e Astrit dhe Ibrahim Bilalit.
Si rezultat i punës së vazhdueshme intensive me metodat speciale të hetimit, nga grupi i posaçëm hetimor, u bë sigurimi i provave materiale dhe shkencore, të cilat çuan në dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.
Gjatë veprimeve hetimore u bë sekuestrimi i një automjeti, tri aparateve telefonike celulare, të cilët janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së veprimeve të tyre. Policia vazhdon punën për hedhjen dritë mbi motivin e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bilali.
/a.rada