Ditën e sotme një delegacion i Ministrisë së Brendshme ka raportuar pranë Komisionit Europian ecuritë e Shqipërisë në ecurinë e 5 prioriteteve, që BE-ja i ka vendosur Shqipërisë në procesin e integrimit. Në një njoftim në faqen zyrtare të Facebook-ut, Ministria e Bredndshme njofton se çështjet e trajtuara ishin progresi dhe rezultatet e Policisë së Shtetit dhe agjencive ligj zbatuese shqiptare në fushën kundër krimit të organizuar, masat për migracionin e paligjshëm, ecuria e procesit të Vetting-ut në Polici, si dhe plani i masave kundër terrorizmit.
Ministria e Brendshme vijon me deklaratën duke thënë se përfaqësuesit e Komisionit Europian shprehën vlerësim pozitiv dhe përgëzuan rezultatet e arritura nga Shqipëria për vitin 2018 në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit si dhe operacionet e zhvilluara. Në delegacionin e Shqipërisë në Komisionin Europian morën pjesë zëvendësministrat e Brendshëm, Julian Hodaj, Romina Kuko, Rovena Voda dhe Besfort Lamallari.