Bajram Peçi/
Me të ndjerin Sabri Godo kam patur një miqësi që rridhte nga kohërat e Luftës Nacional-Çlirimtare. Së bashku me “kriminelin” numër 18 të listës së 265 të tillëve (që ka hartuar një bandë “shkencore” që ushqehet nga qeveria) me dëshmorin Balil Peçi, vëllai i tim eti, kishin qenë partizanë të çetës së rinisë të Gjirokastrës. Më pas, të Brigadës së VI-të, të inkuadruar në batalionin “Baba Abaz”, ku Balili mbajti për tre muajsh detyrën e zv/komandantit. Po me Sabriun luftuan së toku në Labinot-Fushë në betejën e datës 11 shtator 1944, kundër autokolonës gjermane. Sabriu, djalosh i pa rritur ende mirë, ishte i pranishëm në momentin kur Balili u vra në luftë e sipër. Zv/komandanti i Sabri Godos ishte pak vjet më i madh se shoku i tij, 22 vjeç kur ra theror në luftë kundër okupatorëve fashisto-nazistë. Për interesin e vet e atë të kombit, asnjë ballist i “Institutit” të turpit të mos e gënjejë mëndja se do bindë ndokënd që djaloshi 22 vjeçar, me emërin Balil, ishte një kriminel. Ai ishte e do mbetet një ish luftëtar që dha jetën e tij në lulen e rinisë për lirinë e atdheut.
Ndërsa Balil Peçi, nën breshërinë e armëve të bashkëluftëtarëve, u varros në Labinot me nderime, Sabriu luftoi deri në çlirimin e plotë të vendit, për të cilin dha ndihmesën e tij si krijues në letërsi, si deputet dhe kryetar kuvendi. Personaliteti i tij sot nderohet e kujtohet me një bust para kuvendit, atij kuvendi ku para disa ditësh ballisto-fashistët do e shpallnin xhaxhain tim kriminel. Të gjitha këto, kaq pafundësisht larg për fëmijët e nipat tanë, i sjell në aktualitet një institucin buxhetor, një institut i ngarkuar që të studiojë krimet e komunizmit. Me paradokset që tjerr “shkenca” e qelbësirave hakmarrëse e që duket qartë se kërkon të helmojë të vërtetën, moralin, virtytin, gjykimi i shëndoshë i shqiptarëve duhet t’i dërgojë përpos se në çmendinë. Të ndjerë të pazotë për të ndryshuar historinë, i vetmi kompensim që këta të neveritshëm mund t’i bëjnë vetes është të rrisin ëndrrën e fshehur gjatë për t’u hakmarrë ndaj atyre që i shohin fajtorë që Gjermania humbi luftën e që pasoi me përfundimin e tyre si mjeranë. Dhe këta fajtorë s’mund të jenë kush tjetër veç luftëtarëve që luftuan kundër nazifashizmit?!
Pasi u bë publike lista e ndyrë e hakmarrjes klasore, pyesja veten, si duhet të sillesha? A nuk do ishte më me vend të dëgjoja ata që shkruanin e shprehin qendrimin se nuk duhet marrë me një tufë budallenjsh, merreni me të qeshur, “varu pafidhen”, siç e shprehu një sociolog i nderuar, apo të shkruaja? Mirëpo, nga këto gjirize, heshtjen shpërfillëse ta marrin si stepje, si druajtje. Bëra çmos për të zbritur me këmbë në tokë. As tani që jam këtu, me “penën” në dorë, nuk u zemërohem dot me fyerje poshtëruese, por as nuk qesh dot. Ajo që dalloj te lista me mendimin “shkencor”, e strukturuar thellë në fundin e ndërgjegjes të bashkëpuntorëve të fashizmit në një institucion, është ndërgjegja e verbër e gjithë atyre që lejon sot fondet qeveritare të priren si shpenzim drejt nxitjes së hakmarrjes.
Një nga gjërat më të vështira në botë është të marrësh me mend se deri ku shkon urrejtja e të mos parashikosh dot se çka vërtitet në trurin e tyre të infektuar, nga qëllimi për përmbysjen e sistemit të vlerave. Aq verbërisht iu nënshtrohen synimeve, sa nuk druhen të përdorin për këtë një të ashtuquajtur institut, ku ajkës ballisto-fashiste u rezervohen pagesa mikluese prej taksave të familjes shqiptare.
Beteja e ndërmarrë për të çrrënjosur kujtesën, ka fituar tiparet e institucionit shtetëror. Kështu ndodh kur shikohet se si vlerat shkelen me këmbë, se si shoqëria nuk është e aftë të vërë re se antipatia, duke ndërmarrë hartime listash me pothuaj gjithë komandantët e luftës Nacional-Çlirimtare, për t’i shpallur kriminelë, është shndërruar në urrejtje për hakmarrje.
Kurveleshi, krahina nga kanë origjinën prindërit e të parët e mi, xhaxhai Balil Peçi, është vendi që mbajti një peshë të madhe të luftës. Vuajti mjerimin, mbi të rënduan krimet e shfarosjes hitleriane e ku gjaku u derdh lumë. Në fund të luftës asgjë nuk kish mbetur prej saj, gjithçka ishte djegur e përvëluar, shtëpi, bagëti e katandi. Lulja e rinisë kish dhënë jetën për mbrojtjen e tokës e lirisë. Pat ardhur në Kuç, fshat i origjinës të prindërve të mi, në vitin 1942 një batalion italian me emërin “Peruxhia” dhe i kish vënë flakën fshatit si vendbanim, ku i bëhej rezistencë pushtimit. Këtij batalioni, të cilin pas kapitullimit gjermani e shfarosi po në fshatin tonë, qeveria demokratike i ngriti një memorial, por as sot e kësaj dite fshati im nuk ka një memorial për 110 dëshmorët e saj. Fronti i luftës italo-greke, shtrirë mes palëve nga jugu në veri të Kuçit dhe operacioni gjerman i qershorit, nuk la më gur mbi gur. Nuk është aspak e tepërt të përmend se gjyshi im, i kish dalë për zot vatanit, kur Ai e kish thirrur. Meto Peçi, babai i “kriminelit” me numër 18, Balilit, kish drejtuar në luftën e Vlorës, më 1920, çetën prej 200 luftëtarësh të Kuçit dhe kur Shqipëria u pushtua, nuk priti partinë komuniste (që as e njihte) t’i kërkonte djemtë për luftë. Pesë djem të tij i bekoi dhe i nisi për t’u rreshtuan në formacionet partizane të Brigadës së I, të VI-të dhe batalionit Ismail Haki. Në vitin 1999, fshati im, që më jep nder, Kuçi, së bashku me fshatin Pezë, u shpall nga Unioni Botëror i Paqes në Bolonjë, “Fshat Martir” i Luftës së Dytë Botërore. Ishin djemtë e fshatit tim e të krahinave të tjera të Shqipërisë, që e renditën vëndin tonë të mjeruar nga hordhitë hitleriane, në kahjen e fituesit. Ndryshe…falna Zot, nuk do ekzistonim!
Doktor Goebbelsi, ministri i regjimit racist të Rajhut të III, porosiste pa rreshtur se nëse hedh baltë ndaj dikujt, gjatë dhe sistematikisht, atëhere domosdo ca copa balte viktimës do t’i ngjiten. Instituti fashist e di këtë, ndaj synimin e ka te përdhosja e luftës Nacional-Çlirimtare. Ishte pikërisht kjo luftë, në mbarim të së cilës u shemb kolonializmi, u përmbysën sisteme politike dhe ekonomike. Të humburit, as kanë harruar, as falin! Tani, që e vërteta historike e kësaj periudhe është lënë pa kujdes, e braktisur, humbësit e ish pushtetit të shëmbur, me strukturë feudale e thellësisht të prapambetur, kërcënojnë hakmarrje, kërcënojnë paqen sociale. Shëmbulli është përdhosja e heronjve përmes listash, gjuha e shpifjeve për të nëpërkëmbur historinë dhe dinjitetin.
Fatin e përbashkët, historinë, e lidh kujtesa, e lidhin vlerat e trashëguara. Te ky atdhe, që kemi patur shumë besim, këto lista “kriminelësh” përjetojnë dhimbjen, kur shihet se brënda atdheut shpirtëror, që nuk duket se është i lirë t’u tregojë vendin gjithë zuzarëve të ngjallur, pinjollë të bashkëpunëtorëve të fashizmit. Në trokëllimën e kokave boshe të atyre që detyrohen të jenë mbrojtës të Luftës Nacional-Çlirimtare, ndjehet tolerimi në heshtje i shpifësve, që orvaten të grabisin monopolin e të vërtetës. Nuk e gjen dot një përgjegje të saktë, veç reagimit të një deputeti. E shohin se instituti është shndërruar në një nevojtore të madhe ku çdo ballist e ish bashkëpuntori i fashizmit vjet të jashtëqisë të pëgërat e tij mbi historinë, luftëtarët heroikë e të rënët për liri. Pse heshtin? Asnjë listë e “shkencë” nuk do jetë e aftë të pastrojë ndërgjegjen tuaj nga bashkëpunimi me okupatorin, o të mjerë!
Nën peshën e jehonës së kobshme që sjell lista për hakmarrje, prania e kësaj vrime gjirizi me emërin “Institut“, ka tërhequr vëmendjen e një shtrese te madhe popullate, që familjet e tyre i lidh me luftën. Kur një shqiptar don ta turpërojë shqiptarin tjetër, t’i marrë nderin atij, më ndjeni, por dëshminë e urrejtjes e shfaqin duke sharë me ta bëfsha nënën, gruan, motrën, vajzën. Këtë kanë bërë dhe komentuesit. Unë, jo se nuk i kam thënë kurrë në jetën time, por, në këtë rast, as që i hamendësoj si mundësi përdorimi. Ajo që më shkon ndërmend është çuarja e këtyre delenxhinjve para një trupi gjykues, në dhunim të nenit 29 e 30 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. U bëj thirrje të gjithë trashëgimtarëve të kësaj historie të lavdishme, të asaj kohe që u ka dhënë nder, që kanë kohën, moshën dhe mundësisht paratë, të organizohen për të hapur ndaj shpërdoruesve të detyrës çështje penale! Historia do jua dijë për nder.
Në subkoshiencën kolektive të kësaj bashkësie turpi, këta humbësa të mëdhenj, të rreshtuar dikur ushtarakisht në kahjen e gabuar dhe sot të rreshtur politikisht, me qëllimin për t’u pastruar, duke nëpërkëmbur luftën dhe heronjtë e saj, për të fituar legjimitetin moral (të humbur para 75 vjetëve), do ta kenë përsëri të humbur. I sigurojmë për këtë, me institute që kutërbojnë erë të qelbur apo pa institute qofshin. Gjithsesi, o popull, kujdes, këta kafshojnë!