Pas arrestimeve të policisë ditën e djeshme, Report Tv zbardh emrat e dy prej të personave të arrestuarve nga policia dhe inicialet e të tjerëve lidhur me grabitjen e ndodhur në datë 9 prill në aeroportin e Rinasit.
Mësohet se ata janë Alkond Bregasi, Saimir Cela, F.Beqiraj, dhe Renaldo Sula. Dyshohet se tre prej tyre kanë qenë bashkëpunëtorë, ndërsa njëri prej tyre dyshohet të jetë një prej autorëve të cilët kryen grabitjen e 9 prillit.
Nga infomacionet e para masat e sigurisë për katër të arrestuarit do të jepen ditën e nesërme në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Pasditen e djeshme janë ushtruar kontrolle në qytetet e Tiranës, Elbasanit dhe Fushë-Krujës për zbardhjen e kësaj ngjarjeje edhe për gjetjen e personit të konsideruar përgjegjës pas Admir Muratajt i cili mbeti i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me forcat e policisë.
Dy prej tyre dyshohet se kanë modifikuar në një servis furgonin me mbishkrimin “hetimi tatimor” që u përdor nga Admir Murataj dhe bashkëpunëtoret e tij në grabitjen e 6.5 milionë eurove. Servisi ndodhet në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan. Hetuesit janë tepër te rezervuar ne dhënien e informacionit, por zbulimi i servisit është bërë nga këqyrja e qindra orëve filmime të kamerave të sigurisë, nga ku ka kaluar ky mjet.
Dyshohet se Policia ra në gjurmët e të arrestuarve pas provave të mbledhura në furgonin që u përdor për të hyrë në pistën e Rinasit.
Hetuesit kanë dyshime se pjese këtij grupi të ketë qenë edhe një femër, e cila ka kryer veprime aktive në grabitje, shkruan tv klan.
Policia gjatë këtyre ditëve ka mbledhur dëshmi dhe të dhëna në disa qytete të vendit si Tiranë, Elbasan, Fushe-Krujë dhe janë bërë hapa konkret që mund të çojnë në zbulimin e grabitësve të tjerë.
Burime për Report tv bëjnë me dije se servisi kishte më shumë se 6 muaj që i ishte dhënë me qera pikërisht Klement Calës, i cili ka nëshkruar kontratën përmes të afërmit të tij. Klement Cala është person i kërkuar dhe dyshohet se është një prej personave të shpallur në kërkim në lidhje me grabitjen e ndodhur në aeroportin e Rinasit.
g.kosovari