Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari, ka reaguar lidhur me pretendimet se ka krijuar grup parlamentar në shkelje të rregullores se Kuvendit.
Në faqen e saj në facebook, Hajdari thotë se “Grupi Parlamentar Demokrat” është krijuar në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit, ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Shqipërisë.
Hajdari thekson se si ajo ashtu dhe deputeti Myslim Murrizi nuk janë larguar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.
“Partia Demokratike me vendimin për “dorëzimin në bllok të mandateve” vendosi njëkohësisht të ndërprejë përfaqësimin në Kuvend dhe të shkrijë Grupin Parlamentar të PD. “Neni 15, pika e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë përcakton se:”2. Për krijimin e një grupi parlamentar kërkohet një minimum prej 7 deputetësh.Çdo deputet mund të jetë anëtar vetëm i një grupi parlamentar. Një deputet që largohet nga grupi parlamentar, mund t’i bashkohet një grupi tjetër parlamentar vetëm pas gjashtë muajve nga data e largimit”.
Ndaj, shton Hajdari, “nuk jemi në kushtet e largimit nga Grupi Parlamentar i PD (dhe nuk është i vlefshëm kushti i afatit 6 mujor) por në rrethanat e gjendjes së faktit ku deputetët e Kuvendit në bazë përkatësisë partiake apo të orientimit politik në përputhje me Rregulloren vendosin për krijimin e Grupit Parlamentar”.
Grupi Parlamentar Demokratik, vijon deputetja Hajdari, është krijuar mbi bazën e orientimit politik të djathtë me qëllim:
1. Zgjidhjen e krizës politike përmes Reformimit të sistemit zgjedhor (politik).
2. Përfaqësimin e vërtetë dhe me integritet të Demokratëve dhe oponencës qytetare në Kuvend.
3. Misionin për Integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
g.kosovari