Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka argumentuar pezullimin e rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, duke u shprehur se shkeljet e këtij të fundit janë të dokumentuara në inspektimin që është bërë në UT.
Gjatë një interviste televizive, ministrja Shahini sqaroi edhe kërkesën e bërë ndaj Presidentit të Republikës, Ilir Meta.
“Ligji parashikon se nëse ministri sheh shkelje nga ana e rektorit, mund të propozojë shkarkimin e tij. Nuk ka asgjë antiligjore në këtë mes. Në 2018 kanë shkuar dy grupe inspektimi në Universitetin e Tiranës për të parë se si e zbaton ky universitet Ligjin e Arsimit të Lartë dhe kanë gjetur një sërë shkeljesh. Senati dhe bordi kanë zbatuar rekomandimet dhe kanë nisur me zbatimin e tyre, ndërsa rektori nuk e ka bërë”, deklaroi Shahini.
Sipas ministres Shahini, rektori i UT ka marrë kompetenca që nuk i takojnë dhe ka penguar disa procese, të cilat i janë argumentuar edhe Presidentit Meta.
“Ligji për Arsimin e Lartë ndan kompetencat mes administratorëve dhe pjesës akademike të universitetit. Rektori ka marrë kompetenca që nuk i takojnë dhe ka penguar procese që nuk duhet t’i pengonte. Për shembull, ka penguar përdorimin e arkiv-protokollit. Mbi këto shkelje ligjore që kanë paralizuar universitetin është bërë propozimi te Presidenti. Besoj se kemi argumentuar mirë dhe Presidenti do ta pranojë propozimin për shkarkim”, – shtoi ministrja.
E pyetur nëse do të ketë padi ndaj Konit, Shahini u shpreh se: “Do t’i marrim gjërat me radhë. Hapin e parë e kemi bërë, propozimi i ka shkuar Presidentit. Do të presim përgjigjen e tij dhe pastaj do t’i marrim me radhë të gjitha”.
/a.rada