Autobusi i djegur qëllimisht me 10 prill në Konispol është bërë për konkurrencë. Kjo është pista zyrtare e hetimit të policisë, e cila pas dy ditë hetimesh ka mundur që të identifikojë autorin e dyshuar të zjarrvënës.
Në pranga ka rënë shtetasi me inicialet Sh.B., 22 vjeç, banues në Delvinë. Mes pronarit të autobusit, H.S., dhe të riut prej kohësh kishte lindur konflikti për marrjen e pasagjerëve. 22-vjeçari kishte furgon dhe konkurrohej nga linja e autobusit. Si pasojë e kësaj, ai merr aktin ekstrem për t’i vënë flakën autobusit, duke i shkaktuar kundërshtarit të tij, një dëm të konsiderueshëm financiar.
Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia për të mbledhur prova materiale. Gjithashtu pronari i autobusit është marrë në pyetje dhe dëshmia e tij e ka drejtuar policinë drejt autorit të dyshuar të krimit, duke arrestuar shtetasin me inicialet Sh.B.
Pas kontrollit të ushtruar në banesën e tij në Delvinë, policia ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale 25 fishekë luftarak dhe një sasi fara narkotike të dyshuara si cannabis sattiva.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e municioneve luftarake” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.