Shkolla e re që do të ndërtohet në Kodër Kamëz, do të mbajë emrin e shenjtores shqiptare “Nënë Tereza”. Gjatë një emisioni televiziv, Veliaj deklaroi se ka propozuar që emri i ri i shkollës, që do të jetë xhevahiri i parë i 17 shkollave që do të nisin të ndërtohen shumë shpejt në Tiranë, të mbajë emrin e humanistes shqiptare.
“Rektori që ka bërë vetë masterplanin thotë të jetë 100 m më poshtë. Por kjo është si lojë kungulleshkash, pse jo 99m. Ky nuk është debat për t’u bërë me rektor, është debat që unë e bëj me ministra për një cep trotuari. Ky qytet duhet të ketë një shkollë “Nënë Tereza” dhe ne gjetëm tokën e një familjeje private që është jashtë rrethimit të UBT. Habia ime më e madhe është kur shoh dhëndrin e kryeministrit që del ndërsa vjehrri i tij i ka kthyer tokën pronarit dhe ne kur shohim që ky pronari e ka marrë tokën nga Berisha dhe PD që ia ka kthyer tokën dhe i ka dhënë certifikatën. Kështu që ne me VKB dëmshpërblyem pronarin. Pra në një marrëveshje të ligjshme. Bashkia shkon në treg dhe thotë ku ka tokë që mund të bëjmë shkollën “Nënë Tereza”, në kushtet e sotme nuk dhuron kush tokë për shkollë”, deklaroi Veliaj.
Kreu i Bashkisë sqaroi se shkolla në Kodër Kamëz është një kërkesë e vetë komunitetit, pasi aktualisht 2 mijë fëmijët e kësaj zone detyrohen që të udhëtojnë 3 km larg.
“Këtu kemi një komunitet që quhet Kodër – Kamëz dhe një nxënës që të vijë nga Kodër Kamza për në gjimnaz duhet të vijë në Laprakë te “Aleks Buda”, edhe ata të 8-vjeçares duhet të bëjnë 2-3 km për të shkuar në shkollë. Shkolla do jetë më vete e ndarë nga UBT sepse kemi një tokë private që do jetë e rrethuar. Ne kemi nevojë që të sistemojmë 2000 fëmijë për sistemuar në shkollë dhe me këtë rast reduktojmë edhe trafikun që çon nxënësit në shkolla, aty janë vetëm 600 m larg”, tha Veliaj.