Gjykata për Krime të Rënda dënoi me 35 vite burg Namik Velajn, të cilin e gjeti fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij, dy vite më parë.
Gjithashtu, fajtor u deklarua edhe mjeku Ilir Tanku, për “Shpërdorim detyre” dhe u dënua me 2 vite burg, por gjykata pezulloi dënimin dhe do të shlyhet me 4 vite shërbim prove.
Sipas prokurorisë, Velaj ka vrarë bashkëshorten e tij në banesën e tyre, duke i bllokuar rrugët e frymëmarrjes, ndërsa krimi është zbuluar një vit pas ngjarjes.
Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar burgim të përjetshëm për Namik Velajn, i cili mbyti bashkëshorten e tij rreth dy vite më parë.
Ndërkohë, për mjekun, Ilir Tanku, u kërkua 3 vite burg dhe 2 vjet heqje të së drejtës për të ushtruar profesionin e tij.
Vrasja ka ndodhur në janar të 2017-ës, por 67-vjeçari u arrestua në mars të 2018, pasi vdekja e Verke Velaj, u raportua si natyrale, version i konfirmuar edhe nga mjeku Ilir Tanki, i cili është marrë i pandehur për shpërdorim detyre.
Sipas prokurorisë, kanë qenë familjarët e viktimës që kanë dyshuar për vdekjen e të ndjerës dhe kanë bërë denoncim në polici, pas 1 viti hetime, rezultoi se Namik Velaj, e kishte mbytur me duar bashkësborten dhe rreth qafës, kishte vendosur një shall për të fshehur shenjat e mbytjes.
g.kosovari