Aeroporti i Malpensas në Milano të Italisë është mbyllur për rreth 30 minuta paraditen e kësaj fillim jave. Autoritetet kanë urdhëruar mbylljen e tij rreth orës 11.00 pas verifikimit të një droni që ishte duke fluturuar në afërsi të pistave të avionëve.
Linjat e fluturimit të 4 agjensive janë drejtuar për t’u nisur nga aeroporti i Linates dhe një tjetër në Torino. Ndërsa ulja e shumë avionëve të tjerë është bërë më vonë, duke kërkuar që të vonohen e të qëndrojnë në qiell deri në një njoftim të dytë zyrtar për arsye sigurie.
Alarmi ka zgjatur deri në 11.30 minuta, kohë kur pas kontrolleve të ushtruara nga forcat e policisë rezultoi se droni ishte duke u përdorur nga një person që po e testonte mjetin dhe që për këtë arsye është denoncuar për prishje të funksionimit të shërbimeve publike.
Kjo nuk është hera e parë që ndodh një bllokim i tillë në aeroportin e Malpensës, pasi të dielën e 3 marsit në orën 19.00 të mbrëmjes u vu re një tjetër dron që fluturonte në perimetrin e ndalur të hapësirës ajrore dhe në atë rast fluturimet u drejtuan për në aeroportin e Orio al Serio dhe Linate.