Krimi në qytetin e Shkodrës ka arritur të lëshojë rrënjë, goditja e të cilit mbetet një ndër sfidat më të mëdha të Policisë së Shtetit. Kështu deklaroi nga kryeqendra e veriut, ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj, teksa prezantoi prefektin e ri të qytetit, Valdrin Pejtrin.
“Niveli i sigurisë është sfiduar disa herë. Ato janë produkt i krimit të organizuar në vite. Krimi ka arritur të lëshojë rrënjë në Shkodër. Me gjithë goditjet e mëdha sërish ngelet një sfidë shumë e madhe”, tha ndër të tjera ministri.
Në Shkodrën, që jo më larg se të shtunën e 30 marsit, u trondit nga një atentat i dyfishtë, ministri i Brendshëm thotë se tashmë ka shpresa për të goditur fort krimin. Për këtë, ai shprehu besimin tek drejtori i ri i Policisë së Shkodrës, Niko Brahimaj. Ky i fundit, me një karrierë të gjatë në policinë e shtetit, mori detyrën kur kaluan pak orë nga atentati i rëndë, pas urdhrit të Lleshajt për të shkarkuar drejtorin Vehbi Bushati.
“Besoj që me drejtorin e ri dhe përforcimet që do të vijnë do të arrijnë të godasin fort krimin”, tha ministri Lleshaj.
Ministri i Brendshëm nga ana tjetër, si zgjidhje në situatën e rënduar të kriminalitetit në Shkodër, shikon edhe bashkëpunimin e qytetarëve me policinë.
“Ftoj qytetarët që të bëhen palë dhe të gjithë së bashku të sfidojnë krimin”, përfundoi ministri Lleshaj.
/a.meta