Policia në Memaliaj në kuadër të operacionit “Amanikaj” ka sekuestruar 50 kg lëndë narkotike të llojit marijuanë, ndërsa ka vënë në pranga një 30-vjeçar si dhe një tjetër e ka shpallur në kërkim. Sipas policisë, personi i arrestuar në flagrancë është shtetasi me iniciale B.K., 29 vjeç. Gjatë kontrollit në shtëpinë e të arrestuarit u gjet sasi e lëndës narkotike e dyshuar si marijuanë në formën e çokollatës.
Njoftimi i policisës:
Sekuestohen 50 kg lëndë e dyshuar Cannabi Sattiva.Një shtetas në pranga, si dhe një në kërkim. Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Veprimit për marrjen e masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike që në embrion, forcat policore të Stacionit të Policisë Memaliaj në bashkëpunim me ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, kanë vijuar kontrollet në të gjithë territorin.
Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit B.K., 29 vjeç, si dhe shpallën në kërkim një shtetas tjetër. Nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet e Policisë në banesën e shtetasit B.K. (në fshatin Zhapokikë) u gjetën 50 kg lëndë e dyshuar Cannabis Sattiva në formën e çokollatës.
Ky shtetas së bashku me shtetasin e shpallur në kërkim dyshohet se janë edhe autorët e tentativës për kultivim të bimëve narkotike në vendin e quajtur “Përroi i Madh” (zonë të pyllëzuar) në afërsi të fshatit Amanikaj, Memaliaj. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
/a.meta