Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo tha se është e mundur që presidenti Donald Trump të jetë dërguar nga zoti për të shpëtuar popullin hebre nga Irani.
Në një intervistë gjatë udhëtimit të tij në Izrael, ai tha se ishte besimi i tij tek zoti që e bënte ta mendonte këtë. Ai foli me krenari për përpjekjet amerikane për të garantuar që demokracia në Lindjen e Mesme dhe shteti hebre, të mbijetojnë.
“Si një i krishterë, unë sigurisht që besoj se kjo është e mundur, pra që presidenti Trump të jetë dërguar nga zoti për të shpëtuar popullin hebre. Kam besim se këtu është dora e zotit”, tha Pompeo.
Që kur u bë president, Trump ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Iranit. Ai u tërhoq nga marrëveshja bërthamore duke e quajtur atë të gabuar ndërkohë që pasi njohu Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit dhe shpërnguli ambasadën amerikane atje, të enjten, deklaroi edhe se SHBA njeh si të izraelit lartësitë Golan, që ky i fundit i pushtoi nga Siria në 1967.
Këto ditë madje ai ka akuzuar rivalët e tij demokratë se janë anti Izrael dhe anti hebrenj. Trump pritet të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Natanjahu javën e ardhshme në Washington. Top Channel