Nga Mero Baze/
Muhamed Hoxha është dëshmitari i vetëm i vdekur, i patjetërsueshëm, i pamanipulueshëm dhe i pagojë, për ta frikësuar, si Kosta Trebickën apo Luan Hoxhën, që të ndryshoj dëshminë, e pastaj të gjendet në pyll i vrarë, apo i arratisur nga frika në SHBA.
Duhet të gjejmë kush e ka punësuar tinëzisht, burrin e tezes së Shkëlzen Berishës në Gërdec, ose i njohur si baxhanaku i ndjerë i Sali Berishës. Duke i kërkuar ndjesë familjarëve që trazojmë kujtimin e të ndjerit vrarë në Gërdec, tashmë jemi para një situate tragjiokomike, pasi dhe Shkëlzen Berisha ka mohuar dje të kishte dijeni për të dhe punën e tij në Gërdec.
Unë këtë gjë e kisha shkruar një ditë më parë tek Rubrika e humorit “Antena”, por me sa duket, ai ka ngelur aq keq për tu mbrojtur, sa dhe faktet e krijuara për humor, i përdor për të vërteta.
Tani duhet të gjejmë kush e ka punëusar të ndjerin në Gërdec. Mihal Delijorgji, është një minoritar grek, i cili nuk është se ka ndonjë lidhje, apo njohje për ta caktuar përgjegjës në një proces delikat të punës në Fabrikën e Gërdecit, një njeri me emrin Muhamet Hoxha, me origjinë nga Veriu. Rrahman Selmanllari, “vëllai” i Shkëlzenit, ndihmës i tij në këtë biznes si përfaqësues i shoqërisë amerikne SAC, ndërkohë ka punësuar një grup me 7 veta që i ka të gjithë kushërinjë apo kushërinj të kushërinjve dhe kjo del nga hetimi në prokurori, edhe pse Selmanllari ka deklaruar se nuk ka njeri të afërt të punësuar në Gërdec.
Të ndjerin Muhamed nuk e merr njeri përsipër, as pas vdekjes. Ndonjë konkurs për punësime në Gërdec, nuk u hap askund dhe shumica ishin dhe të pasiguruar. Fari Balliu si partner me Delijorgjin, nuk ka njohur dhe nuk besoj ta ketë rekomanduar, se ai u mjaftua me një Q7.
Sali Berisha që punësonte gjithë Shqipërinë, thotë nuk e kam njohur dhe nuk e kam takuar kurrë, edhe pse është nga ata që njeh gjtihë baxhanakët e njerëzve që ka rotull.
I vetmi që del që e ka njohur jam unë. Unë e kam njohur burrin e tezes së Shkëlzenit, pasi e kam pasur tezen e tij banore të pallatit. Tezja e Shkëlzenit, është një grua dinjitoze që për hirë të së vërtetës, nuk ka asnjë grimë hipokrizie nga këto që demonstron nipi i saj në hall, pas tragjedisë së Gërdecit, apo dhe motra e saj.
Sic e ka rrëfyer vet zonja Vjolla Rama (Hoxha), tezja e Shkëlzenit , ajo e dinte se burri punonte në një punë të sigurt dhe të mirë nuk kishte idenë se puna ishte e rrezikshme. Në intervistën e saj në Gazetën Shqiptare në Qershor të vitit 2008, ajo kundërshton deklaratat Liri Berishës, motrës së saj, që ka shpikur sikur motra i ka thënë që “burri mban ca arka aty në Marikaj”. E ka hedhur me përbuzje poshtë deklaratën e motrës së saj, mamasë së Shkëlzenit, duke theksuar se “unë nuk isha aq keq për bukë të gojës, ta coja burrin të mbante arka”.
Kjo polemikë në distancë mes dy motrave në hall, njëra qa ka hallin e djalit trafikant dhe burrit të korruptuar kryeministër dhe tjetra që ka hall real se korrupsioni i tyre i ka vdekur burrin, tregon më së miri fytyrën e një familje hipokrite, e cila është gati të mohoj dhe raportet njerëzore kur është në hall.
Kjo mu kujtua, ndërsa Shkëlzen Berisha në përpjekje për të mbrojtur veten nga akuzat,e ka bërë më tragjiokomike situatën. Ndërkohë më 16 mars 2008, në varrezat e Sharrës, ai së bashku me motrën e tij, Argitën dhe nënën e tyre, ishin në ceremoninë e varrimit të të ndjerit.
Babai i tyre, Sali Berisha, i cili qëllimishtë një ditë më parë i kishte ndryshuar emrin, nga Muhamet në Mehmet, nuk mund të shkonte aty se kuptohej që tragjedia e Gërdecit kishte shkaktuar një vdekje dhe brenda familjes së tyre.
Muhamed Hoxha është dëshmitari i vetëm i vdekur, i patjetërsueshëm, i pamanipulueshëm dhe i pagojë, për ta frikësuar, si Kosta Trebickën apo Luan Hoxhën, që të ndryshoj dëshminë, e pastaj të gjendet në pyll i vrarë, apo i arratisur nga frika në SHBA.
Ai dëshmoi duke vdekur, si një mallkim edhe për Berishët, që të provojë, se tragjedia e Gërdecit është gatuar në shtëpinë e tyre.
Vdekja e tij është një fatkeqësi për të, por një ndëshkim dhe më i madh për berishët hipokritë, që tashmë bëjnë dhe sikur nuk e kanë njohur dhe nuk e kanë ditur kush ishte Muhamet Hoxha.
Në një rregjim ku Sali Berisha të hiqte nga puna dhe kushëririn e shtatë dhe ku gruaja e tij punësonte dhe kushërëririn e 12-të, në një rregjim ku djali i tij, vinte në rresht ministrat, tani duhet të gjejmë kush ka punësuar burrine tezes Shkëlzenit ,në një biznes privat të lidhur tërësisht me të.
Nuk është ushtrim për budallenjë edhe pse duket i tillë. Është guximi për ta konsideruar këtë popull budalla, ngaqë nuk janë dënuar kurrë.