Kryeqyteti italian Roma është blinduar nga masat e sigurisë së lartë, me mbi 3500 forca policore në terren, për të garantuar vizitën tre ditore të Presidentit kinez Xi Jinping në Itali.
Gjatë kësaj vizite të rëndësishme pritet të nënshkruhet një memorandum historik bashkëpunimi mes Italisë e Kinës mbi Rrugën e Mëndafshtë.
“Është vetëm një memorandum ekonomik e jo politik”, theksojnë Presidenti i Republikës Sergio Mattarella e kryeminisri italian Conte, duke tentuar të bindin skepticizmin e Europës dhe mosaprovimin e SHBA mbi memorandumin.
Italia është i pari vendi i G7 e i pari vend i madh i Bashkimit Europian që pranon të nënshkruaj këtë traktat me Kinën, një vend ky që gjatë viteve të fundit përmes Memorandumit të Rrugës së Mëndafshtë ka mundur të ndërtojë një strategji ekonomike që e ka shndërruar në një vend lider në tregtinë ndërkombëtare.
Rruga e Mëndafshtë është një plan investimi infrastrukturor në të gjitha fushat e ekonomisë i lancuar nga Kina më vitin 2013 e që deri më tani është nënshkruar nga 63 vende. Me nënshkrimin e këtij memorandumi Italia merr një pozitë strategjike në tregtinë e mallrave në Mesdhe, një benefit i vyer për ekonominë e saj.
Gjatë vitit 2018 shkëmbimi ekonomik mes Italisë e Kinës ka qënë në vlerën e 44 miliardë euro. Në Itali operojnë mbi 300 grupe të mëdha kinezë ndërsa në Kinë janë të pranishme rreth 1700 sipërmarrje italiane.
Memorandumi historik mes Italisë e Kinës pritet të nënshkruhet ditën e shtunë paradite, ndërsa pasdite Presdienti kinez do të zhvilloj një vizitë jo formale në qytetin e Palermos në Sicili. Presidenti kinez Xi Jinping do të mbërrijë në aeroportin Fiumicinosì në Romë rreth orës 19.00 të mbrëmjes së të premtes.
/g.kosovari