Efektivi i FNSH-së Simon Gjeta, i cili humbi jetën në krye të detyrës shpallet ‘Dëshmor i Atdheut’. Statusi i është dhënë dje nga Komisioni Qendror i Statusit ‘Dëshmor i Atdheut’ pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Ndër të tjera KQSDA ka propozuar për të edhe Medaljen e Artë të Shqiponjës, propozim ky drejtuar Presidentit.
“Dëshmori i Atdheut” Simon Gjeta pritet të përcillet sot me të gjitha nderimet. Homazhet në nder të tij do zhvillohen sot në orën 11:00 në Akademinë e Sigurisë, në Sauk.
Komandanti i grupit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ka mbetur i vrarë gjatë një operacioni për arrestimin e autorit të plagosjes së një të riu. Simon Gjeta është qëlluar për vdekje me tre plumba në kokë nga 52vjeçari Ruzhdi Aishta, i cili rezultonte se vuan nga probleme mendore.