Nga Aurel Pepa/
“Gazi helmues” i llojit “CSS”, i përdorur nga Policia në javët e fundit gjatë trazirave me protestuesit e opozitës tek selia e Qeverisë dhe ajo e Kuvendit dhe për të cilin dje Partia Demokratike ka bërë kallzim penal kundër ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe disa drejtuesve të Policisë, në të vërtetë është blerë për Policinë shqiptare pikërisht nga Lulzim Basha, kur ai ka qenë ministër i Brendshëm. Prova për këtë është në një dokument ekskluziv, të cilin e ka siguruar dhe po e publikon Redaksia Investigative e Shqiptarja.com. Fjala është për faturën e pagesës së bërë shoqërisë ”PortCroft Ltd” me seli në Belize, një parajsë fiskale e Amerikës Qendrore, më 8 mars 2011, me të cilën janë blerë nga Policia e Bashës 600 granata me gaz lotësjellës model “G-303- CSS”, të njejtat që janë përdorur ditët e fundit në Tiranë. Granatat e gazit lotësjellës “CSS” janë paguar me 62.1 euro secila për një total 37.260 euro.
Me të njejtin urdhër u blenë nga Lulzim Basha edhe 40 “lëshues gazi lotësjellës” (teknisht ato quhen Protectojet), një armë kjo shumë e fuqishme, që e hedh gazin nga një distancë e largët: këto armë speciale janë paguar 1.787 euro secila, me një kosto totale prej 71.480 eurosh, së cilës i shtohen 31.900 euro të tjera për gazin lotësjellës me të cilin mbushen. Ne atë kohë janë blerë edhe 500 granata shurdhuese, edhe këto (ndryshe nga Projectojet-ët) të përdorura ditët e fundit gjatë trazirave të Tiranës. Vlera e përgjithshme e faturës është 171.690 euro.
Paradoksi në këtë histori është se sot Lulzim Basha dhe e gjithë opozita akuzojnë Policinë se përdorin “armë kimike” të ndaluara ose gazra lotësjellës vdekjeprurës, ndërkohë që fjala është pikërisht për të njejtët gazra lotsjellës që bleu të Lulzim Basha kur ishte ministër i Brendshëm dhe deri tani kanë qenë në magazinat e Policisë. Kur i blenë donin t’i perdornin kunder opzitoreve socialiste. Paradoksi qendron ne faktin se ditën e djeshme Partia Demokratike ka dorëzuar një padi penale në Prokurorinë e Tiranës përmes sekretarit të përgjithshëm Gazment Bardhi. “Është e provuar se gjatë zhvillimit të protestës Policia e Shtetit, duke shpërdoruar detyrën, ka dhunuar dhe sulmuar me mjete të helmimit masiv dhe ujë me presion qytetarë, të cilët po protestonin paqësisht”, thuhet në letrën shoqëruese, që Bardhi ka dërguar në Prokurorinë e Tiranës.
Blerjet e “lëndëve helmuese” u autorizuan nga Sali Berisha në cilësinë e kryeministrit dhe u vendosën pak ditë pas incidenteve të 21 janarit 2011, kur një raport i SHKB-së së ministrisë së Brendshme denoncoi mungesa të mëdha tek Policia gjatë përleshjeve me opozitën socialiste, që sollën vrasjen e 4 protestuesve dhe plagosjen e 40 të tjerëve nga ana e Gardës.
SHKB evidentoi në raportin e tij se Policia provoi të përdorte gazrat lotsjellës, por policët nuk ishin të pajisur me maska kundërgaz dhe kështu që, për shkak të erës, ato gazra goditën policët, në vend të protestuesve. Më pas, Policia dha urdhër të ngrihej një helikopter për të lëshuar gaz lotsjellës mbi turmën nga lart, por duket se helikopteri pati një difekt dhe nuk mundi të fluturojë. Atëhere Garda e zgjidhi problemin duke hapur zjarr mbi protestuesit dhe duke bërë masakër.
Raporti i SHKB-së konkludonte duke sugjeruar që të adoptoheshin menjëherë kundërmasa për të pajisur Policinë me të gjitha instrumentat teknike të nevojshme për të përballuar protesta të reja. Kështu, Berisha dhe Basha e urdhëruan menjëherë Policinë që të vijonte me blerjet pa bërë asnjë tender. Kontrata për furnizimin e parë të “pajisjeve anti-kryengritje” u nënshkrua më 20 shkurt 2011 me shoqërinë ”PortCroft Ltd” me selli në Belize, president i së cilës ishte Meir Hefer Gachtan, një profesor universiteti izraelit nga Tel Avivi, që dukej se kishte lidhje me shërbimet e fshehta. Nuk dihet se në bazë të çfarë procedure u përzgjodh kjo firmë. Sipas një denoncimi të bërë publik nga ana e deputetit socialist Erjon Braçe në vitin 2012, me të njejtën procedurë urgjente, pra pa asnjë lloj gare dhe as ndonjë formë transparence, Lulzim Basha urdhëroi blerjen e pajisjeve të tjera anti-kryengritje me një vlerë të përgjithshme prej 1.660.810 eurosh. Po në këtë kohë, u blenë me urdhër të Berishës e Bashës edhe dy autobotë ujëhedhës për Policinë, edhe këto të përdorura ditët e fundit kundër protestuesve të dhunshëm të opozitës, por që tani opozita i konsideron mjete të paligjshme.