Në kuadër të takimeve të hapura me mjekët dhe infermierët, Manastirliu lajmëroi disa ndryshime të propozuara për mjekimin e pakujdesshëm dhe për dhunën ndaj bluzave të bardha
Shkodër 20 Mars- “Jemi të vendosur të zbatojmë regjimin e ri në spitale për orarin e vizitave të familjarëve në pavione dhe ky ndryshim nis e para nga vetë mjekët”. Deklarata u bë nga Ministrja Manastirliu gjatë vizitës në spitalin rajonal të Shkodrës.
Ministrja e Shëndetësisë kërkoi angazhimin e drejtorëve të spitaleve dhe shefave të pavioneve për të zbatuar këtë regjim.
Gjatë bisedës me mjekët, Ministrja Manastirliu deklaroi nga Shkodra se po punohet në bashkëpinim me Ministrinë e Drejtësisë, që, kanosja e profesionistëve të mjekësisë për shkak të detyrës të përfshihet specifikisht në kodin penal, me ashpërsim të masave për ata që dhunojnë bluzat e bardha.
“Ne jemi duke ndermarrë me Ministrinë e Drejtësisë prej 2 muajsh nismën për ndryshimet në Kodin Penal. Kemi rënë në një draft të kodit penal lidhur me dy ndryshime të rëndësishme. E para persa i përket mjekimit të pakujdesshëm, duke u marrë dhe duke u vlerësuar praktika ndërkombëtare për gabimet mjekësore dhe neglizhencën në mjekim dhe elementi i dytë është vendosja në kodin penal të kanosjes për shkak të detyrës kundër profesionistëve të shëndetit, si një vepër penale e cila duhet të dënohet me burg”, deklaroi Manastirliu.
Gjatë vizitës në spitalin e Shkodrës, Manastirliu tha se do të vijojnë investimet në këtë spital, i cili është mbështetur me 1.8 milonë euro gjatë 4 viteve të fundit për aparatura mjekësore moderne, si angiograf, rezonancë magnetike, etj.
/g.kosovari