Ndonëse në forma të ndryshme dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, po kërkojnë një qeveri të re për përfaqësimin e Kosovës në procesin e dialogut. Por partitë e koalicionit qeverisës, larg idesë për një qeveri të re, i bëjnë thirrje opozitës të bëhet pjesë e Delegacionit aktual Shtetëror për Dialogun me Serbinë
Dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, vazhdojnë të mos pajtohen me përfaqësimin e Kosovës në dialogun me Serbinë. Këto të dyja së fundmi po kërkojnë edhe një qeveri të re, e cila do të udhëhiqte me këtë proces, shkruan Zeri.
Për një gjë të tillë Vetëvendosja po kërkon zgjedhje të parakohshme, përderisa LDK-ja në pamundësi për zgjedhje ka dhënë edhe një opsion të dytë siç është formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse për të cilën nuk do ta ketë përkrahjen e LVV-së.
“Dialogu është shndërruar në garë për t’ia treguar njëri-tjetrit muskujt brenda koalicionit të brishtë qeverisës, por edhe në instrument për të mbajtur pushtetin. Është bërë si arenë e gladiatorëve, ku sunduesit e zhvendosnin vëmendjen e qytetarëve nga problemet e tyre. Nëse dikush nga koalicioni qeverisës e do këtë vend dhe nuk dyshoj se ka të tillë, atëherë duhet ta pranojnë se e kanë mashtruar popullin dhe vetveten me parullat e PDK-së të vendimeve të mëdha dhe se vendimi i vetëm i drejtë i tyre është të japin dorëheqje. Të vetëshkarkohen e të shkojmë në zgjedhje”, ka shkruar Mustafa.