Nga Artur Ajazi/
Duke nisur fjalimin e tij paraelektoral për zgjedhjet lokale, gjatë vizitës në Peshkopi, kryetari PD Lulzim Basha e vuri theksin fort tek “frika që dibranët e vranë të parët kur përmbysën sistemin komunist” sipas tij.
I rrethuar nga dhjetra fansa të tij, që nuk dihet sepse gjithmonë thërrisnin dhe përsërisin refrenin e njohur të atyre viteve “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”, zoti Basha i ka ftuar dibranët ti bashkohen protestës së madhe të opozitës.
Nuk besoj se kryetari i PD, e ka harruar se, Shqipëria e ka përmbysur prej afro 28 vitesh sistemin komunist, dhe po ecën e sigurtë drejt familjes së madhe europiane, duke patur vetëm një pengesë serioze, opozitën hileqare të tij.
Atë opozitë, e cila akoma edhe sot e kësaj dite, nuk ka përcaktuar asgjë të re për misionin e saj politik, për idetë e saj, për platformën e saj, por thjesht niset tafti-bafti, për të kapur diçka që do të mund ti sigurojë asaj rrugën e thjeshtë drejt pushtetit. Por rruga drejt pushtetit në demokraci, mbetet vota e lirë, dhe vetëm përmes saj, partitë politike mund të marrin pushtetin që meritojnë, të tjerat duhet të presin.
Duke dashur ti inkurajojë njerëzit, taksistët dhe tregëtarët që takon në qytete, me fjalë të vjetëruara fushatash si “të vrasim frikën, të ndalim dhunën” etj, etj, zoti Basha ka harruar se shqiptarët e kanë vrarë frikën e madhe qysh në dhjetorin e vitit 1990. Frika ka mbetur si simbol i sistemit të kaluar, por fatkeqsisht sot e hasim edhe në memorjen apo formimin e ndonjë politikani që jeton, vepron dhe drejton partinë me hijen e frikës dhe përjashtimit.
Të përdorësh togfjalëshin “frikë-dhunë, përjashtim nga partia” si simbolikë të fushatës apo protestës “së madhe” do të thotë se ke shteruar në argumentimin e të drejtës për të siguruar të ardhmen, dhe i kthehesh shpesh të shkuarës. Por gjetkë qëndron e vërteta e sotme e “protestës së madhe”, gogolit me të cilin kjo opozitë po kërkon ti imponohet shumicës. Opozita po proteston rrugëve dhe jo institucioneve ligjore, pasi ka hallin e drejtësisë së re që po troket, ku shummica prej tyre duhet të përgjigjen për ato që kanë bërë.
Nga ana tjetër, tek dëgjon zonjën Kryemadhi e cila akuzon si “zë i parë” i opozitës për blerje të votave, mjafton të kujtojmë këtu se, në qoftë se ka patur në Shqipëri një fenomen të tillë, PD-LSI kanë qenë të parat që e kanë kultivuar.
Të bësh fushatë , protestë dhe thirrje me fjalët “frikë, dhunë, përmbysje” do të thotë të jesh në panik nga vota e lirë, nga drejtësia e re, e cila po vjen me shpatën ngrehur për kastën e politikanëve të dhjamosur në miliona.
Qytetarët e këtij vendi, nuk joshen më me aksobacira pushtetesh, me premtime e barcaleta që nisin nga “ulja e çmimit të karburanteve deri tek rritja e madhe e rrogave e pensioneve” por me frymëzim dhe shpresë për të ardhmen, duke qenë seriozë dhe fjalëmbajtur.
Një opozitë që mbahet në këmbë me pahir, duke djegur mandate, duke përjashtuar këdo që del nga rreshti i saj, duke shpallur tradhëtarë njerëzit e saj, frikën e ka kryefjalën e mbijetesës politike.
A mund ti besohet një opozite që mbeti duke deklaruar se “do të digjet frika dhe ndizet shpresa”, ndërkohë që djeg mandate, duke shpresuar të ndezë zjarrin e urrejtjes mes shqiptarëve, dhe jo frymëzimin e tyre drejt të ardhmes.