Elefsina është një vend me histori në brigjet e Greqisë. Më 2021 ky qytet do të jetë “kryeqyteti i kulturës europiane”. Por Elefsina mban një njollë turpi – askund tjetër në Greqi nuk ka kaq shumë anije gërmadhë të braktisura mbi dhe nën ujë. Ato nuk janë artifakte historike, por anije me defekt, çisterna të braktisura, anije mallrash e tragete të dalë jashtë përdorimit. Ka aq shumë të tilla, sa në det janë vendosur fanarë të vegjël, si sinjalistikë për anijet lundruse, që ato të mos përplasen me këto gërmadha.
Administrata e qytetit të Elefsinas do të shfrytëzojë hovin që do të vijë prej titullit “kryeqytet i kulturës europiane”, për ta ndrequr qytetin, duke shmangur njëherë e mirë u anijet gërmadhë dhe problemet për mjedisin. Megjithatë kjo nuk është kaq e lehtë. Prej gati një viti Charalambos Gargaretas është drejtor i portit të Elefsinas. Por zhgënjimi i tij është i madh. Sepse porti është i vdekur, një varrezë me duzina anijesh të ndryshkura. „Kur këto anije kanë dalë jashtë përdorimit, ose pronarët e tyre kanë pasur probleme me ligjin, ato thjesht janë braktisur këtu.”
Anije e rënuar në gjirin e Elefsinas
Mbi dyzet gërmadha ndodhen para portit të Elefsinas, shumica ndodhen edhe nën ujë. Shumë prej tyre përmbajnë edhe naftë toksike të vjetër dhe katran. Ato mund ta kontaminojnë gjirin. Qeveria tani ka premtuar të veprojë dhe ka dërguar 34 vjeçarin Gargaretas që të drejtojë punën e pastrimit të portit. „Ne i konfiskojmë anijet, kur nuk gjendet pronari i tyre ose kur pronari refuzon të bashkëpunojë, ose nuk do të ketë të bëjë me to. Por ka edhe raste kur pronari ka vdekur e nuk gjenden të afërmit e tij. Në këto raste anijet nxirren nga uji, çmontohen dhe shkrihen.”
Dyshime për çmontimin e kolosëve të braktisur
Por të tilla impiante shpërbërjeje nuk ka deri tani në Greqi. Ndaj aktivisti i mjedisit Christos Christakis i sheh me skepticizëm aktivitetet e papritura të autoriteteve. Prej vitesh ai lufton kundër ndotësve të mjedisit në këtë segment të bregdetit. Shteti prej vitesh jo vetëm ka bërë sehir, por edhe i ka asgjësuar vet anijet këtu, na thotë: „Anija Noor 1 u zbulua më 2014 nga truproja bregdetare me mbi dy ton heroinë. Sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në Europë. Anija u konfiskua e u la pas dore prej vet autoriteteve. “Nëse tani anijet do të çmontohen, unë druaj, se këto veprime sërish do të bëhen pa pasur kujdes për mjedisin. Në këtë gji dikur janë coptuar anijet. Pjesët e tyre thjeshtë janë lënë këtu dhe janë mbuluar me rërë.” Si fëmijë Christakis notonte këtu. Kush e beson, që autoritetet do t’i çmontojnë këta kolosë, kur ato nuk janë në gjendje të mbledhin mbetjet nga plazhi, shtron pyetjen aktivisti i mjedisit?
Elefsina ka qenë dikur një vend i rëndësishëm industrial me mjaft vende pune për të gjithë rajonin, tregon kryebashkiaku George Tsoukalas. Por për shkak të krizës financiare tani në tokë nuk duket më mirë se në det, ku një rënojë industriale pason tjetrën.
Shembull Ruhri në Gjermani
Por të paktën në këtë trashëgimi të trishtueshme kryebashkiaku sheh edhe një potencial. Me shpalljen më 2021 kryeqyteti i kulturës europiane, ai shpreson që në këtë territor do të shfaqen pjesë teatrore e vepra arti. Të paktën deri atëherë gërmadhat do të jenë zhdukur, beson ai. duke shpresuar edhe tek shembulli gjerman:„Ne duam të marrim shembullin e rajonit të Ruhrit në Gjermani. Atje shpallja si kryeqytet i kulturës europiane bëri që rrënojat industriale të kthehen në sheshe kulturore. Ajo që ne nuk duam kurrsesi është, që pas festimeve gërmadhat e anijeve të sillen sërish këtu.”
Për ta ndaluar këtë është detyra e truprojës bregdetare, thotë drejtori i portit Gargaretas. Ndërkohë ai lufton me stivën e dosjeve të burokracisë greke, që të mund të asgjësojë së paku gërmadhën e parë. „Rezultatin e shihni këtu në tryezë. Kaq shumë kërkesa na duhen për një anije! Vetëm kjo ka zgjatur katër muaj. Ekipi punon këtu deri në 15 orë në ditë, për të avancuar me punën.”
Problemi është se shumë prej këtyre anijeve fantazëm nuk janë të regjistruara në Greqi, por në Panama apo në Bahamas. Pronarët duhet të kërkohen në mbarë botën. Kësisoj mund të zgjasë me vite, derisa gjiri i Elefsinas të rifitojë shkëlqimin e humbur. /DW
/a.meta