Nga Enver Robelli
E zhytur në krizë të thellë për shkak të aferave të ndryshme – blerje votash, punësime nepotiste, afera korrupsioni – qeveria shqiptare po përpiqet të dalë nga bataku me parulla. Shqiptarëve në Shqipëri u thotë: «E gjithë vëmendja për ju». Shqiptarëve në diasporë u drejtohet me: «E gjithë vëmendja për diasporën». Por, shqiptarët e diasporës janë më shumë se adhurues të Partisë Socialiste apo të ndonjë partie tjetër. Andaj kontaminimi i komunikimit me ta përmes parullave partiake është i dëmshëm. Ky kontaminim ndodhi në Samitin e II-të të Diasporës që u mbajt këtë javë në Tiranë.
Kritikat qenë të shumta dhe shumica me vend. Samiti nuk ka pothuaj asnjë koncept. Më shumë i ngjan një «parade patriotike», ku shihen rrahje të supeve, shkëmbime komplimentesh, brohoritje fjalësh të mëdha, apele boshe, lavdërime pa mbulesë. Edhe sivjet samiti u shfrytëzua për fjalime populliste. Kryetari i Kosovës erdhi në Tiranë me një thes të mbushur me granata retorike që prodhojnë vetëm tym. Premtoi se do të sakrifikohet me shpirt e me zemër e me trup për të penguar ndarjen e Kosovës dhe kjo shkaktoi të qeshura të gjëra jashtë sallës ku mbahej samiti. Pastaj, sapo u kthye në Kosovë, belbëzoi këtë margaritar gjuhësor: «Ideja e shkëmbimit të territoreve është pazar i keq, që s’do ta lejojmë. Jo që do të shtrohet në tavolinë por s’do ta lejojmë që ta diskutojë ndarjen e Kosovës. Kufijtë janë të paprekshëm. Korrigjimi i kufirit po si shtet i pavarur dhe bashkëngjitje e Luginës së Preshevës». Në vend të këtyre akrobacioneve presidenti kosovar do të mund të recitonte atë fjalinë sfiduese: E shes thesin, s’e shes thesin!
Edi Rama më së shumti përmendi fjalën «bashkim», por si përherë pa e konkretizuar atë. Fjala «bashkim» më shumë po përdoret si kërcënim ndaj BE-së: nëse nuk na pranoni në Bashkimin Europian do të bëjmë bashkimin shqiptar. Kështu kërcënojnë ata që me vite të tëra nuk arritën (nuk deshën) të heqin romingun mes Shqipërisë dhe Kosovës. Rama ndau «vëllazërisht» disa mendime me «vëllazërinë» shqiptare pavarësisht «nëse jetojmë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, Jugun e Serbisë». A nuk ishte ky samit i diasporës? Sepse shqiptarët në këto vende nuk janë diasporë. Foli Rama edhe për ndërveprimin «vëllazëror» në Maqedoninë e Veriut. Nga kjo gjuhë krijohej përshtypja se bëhet fjalë për një takim vëllezërish pa motra. «E sotmja na tregon se armiku më i madh i shqiptarëve janë shqiptarët». Kjo ishte njëra ndër frazat e Ramës në këtë samit. Jo, e sotmja na tregon se si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë krerët politikë përmenden vetëm në kontekst të skandaleve, dembelisë, mosgatishmërisë për reforma, djegie mandatesh e çka jo tjetër.
«Parada patriotike» e Tiranës ishte «diçka midis karnavalit dhe festivalit folklorik – një festë me kostume dhe buzëqeshje të subvencionuara» (Ardian Vehbiu, gjuhëtar dhe publicist), një «fasadë, propagandë, korrupsion» (Agron Tufa, shkrimtar), «një fasadë për retorikën e radhës» (Rando Devole, sociolog). Kritikët nuk shpëtuan nga një batare: Rama i quajti edhe këta «kazan».
Gjithë muhabeti dhe banketi i Tiranës kushtoi afër 500 mijë euro. Dyfish më shumë se paratë që ndan qeveria shqiptare për projekte me diasporën. Më e rëndësishme është dukja se sa përmbajtja. Në samit u nderuan me mirënjohje personalitete që vërtet e meritojnë dhe të tillë që si merita të vetme mund t’u numërohen skandalet e shumta. Me këto 500 mijë euro të djegura do të mund të bëhej ndonjë punë e mençur. Para fillimit të sezonit turistik me këto para do të mund të bëhej një fushatë për promovimin e bukurive të Shqipërisë në mediat perëndimore. Me këto para ambasadat e Shqipërisë në Perëndim do të mund të organizonin – bashkë me ministrinë e Turizmit – aktivitete të ndryshme për t’i informuar të interesuarit për të kaluar pushimet në Shqipëri. Agjencitë e mëdha të turizmit në Zvicër, për shembull, e kanë futur Shqipërinë në programin e tyre veror për vitin 2019. Kjo është një premierë e jashtëzakonshme. Nga prilli kompania ajrore zvicerane «Edelweiss» do të fluturojë nga Zürichu në Tiranë. Edhe në vende të tjera perëndimore interesimi për pushime në Shqipëri është në rritje.
Sado atraktiv spoti promovues i Shqipërisë i prezantuar së fundi duke e parodizuar filmin «Taken», gjasat janë të vogla që të ketë efektin e dëshiruar, sepse filmi i xhiruar më 2008 (me dy vazhdime më 2012 dhe 2014) tashmë është harruar nga publiku i gjerë perëndimor. Me 500 mijë eurot e samitit do të mund të hapeshin së paku dy zyra të turizmit në metropole të Perëndimit. Ia vlen të mësohet diçka nga Kroacia. Ky vend ka zyra të turizmit në 17 qytete – mes tjerash në Frankfurt, Milano, New York, Pekin, Paris. Me 500 mijë eurot e djegura në Tiranë do të mund të lansohej projekti «Shqipëria365» me synimin që sezoni turistik të zgjatet dhe të mos përfundojë pas tri javësh të nxehta verore dhe të mos mbetet vetëm «turizëm bashkatdhetarësh». Me 500 mijë eurot…