SHÇBA ka vënë në pranga gjashtë kolegë të Portit Durrës. Lajmi konfirmohet nga Policia e cila ka shpërndarë edhe komunikatën në lidhje me operacionin.
Mësohet se gjashtë efektivët janë prangosur nën akuzën e korrupsionit pasiv dhe shpërdorimit të detyrës.
Strukturat e Drejtorisë Qendrore të Hetimit të SHÇBA-së finalizuan me sukses operacionin “KONTROLLORI” ku janë arrestuar në kushtet e flagrancës 6 punonjës të policisë, kontrollorë në PKK Durrës:
A.Gj., 53 vjeç, me detyrë Kontrollor në PKK Porti Durrës;
G.B., 29 vjeç, me detyrë Kontrollore në PKK Porti Durrës;
G.Ç., 51 vjeç, me detyrë Ndihmës Kontrollor në PKK Porti Durrës;
D.D., 53 vjeç, me detyrë Kontrollore në PKK Porti Durrës;
D.Z., 50 vjeç, me detyrë Kontrollor në PKK Porti Durrës;
J.K., 42 vjeçe, me detyrë Kontrollore në PKK Porti Durrës.
Arrestimi i tyre u bë në funksion të hetimeve penale, në kuadër të procedimit të vitit 2018, kryer nga Drejtoria e Hetimit të SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.
Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”.
Gjatë ndjekjes së këtij procedimi janë aplikuar metodat speciale të hetimit, ku rezulton e provuar veprimtaria e kundraligjshme e këtyre punonjësve të policisë, të cilët, në këmbim të vlerave të ndryshme monetare, bënin të mundur kalimin e paligjshëm të personave me probleme, apo kategorisë së shtetasve që nuk u lejohet udhëtimi drejt zonës “Shengen”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në kushtet e flagrancës, punonjësve të policisë iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi vlerash monetare në lek dhe euro, në vlerën 2.175 euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundraligjshme dhe korruptive gjatë ushtrimit të detyrës.
Hetimet për këtë ngjarje po vazhdojnë, njofton Policia.
/a.rada