Sot Telekom Albania nisi fushatën për ndërgjegjësim dhe informim ndaj bullizmit në internet, adresuar adoleshentëve dhe të rinjve në Shqipëri. Në kuadër të fushatës më të fundit “Bëhu pjesë e së tashmes”, ku Telekom Albania bën thirrje që internetin ta përdorim për të mirat që na jep, duke shmangur rreziqet që vijnë nga lundrimi, sot çel edhe fushatën drejtuar të rinjve, se si të ruhen nga këto rreziqe.
Me bashkëpunimin e Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe me pjesëmarrjen e shumë gjimnazistëve, u zhvillua një takim për të prezantuar www.bullyproof.al dhe tregimet grafike. Quizzi bullyproof.al është një ide që ka ardhur nga gjimnazistë të Tiranës, gjatë një Hackathon-i që kompania Telekom zhvilloi para disa muajsh. Nga shumë ide interesante, bully proof fitoi dhe u realizua. Përmes 15 pyetjeve të hartuara me sociologë dhe psikologë, shikohet rezultati nëse i testuari ka tregues për të qenë bullues apo viktimë e bullizmit. Për të plotësuar edhe më shumë fushatën, Telekom krijoi edhe një seri novelash grafike (comic strips) me përmbajtje të frymëzuara nga histori të hasura në realitet dhe të ilustruara përmes stilit artistik pop-art i cili mbetet gjithmonë bashkëkohor.
Gjatë eventit u shpallën edhe ambasadorët e fushatës, Olti Curri dhe Venera Lumani të cilët angazhohen për të shpërndarë sa më shumë mesazhet kundër bullizmit. Ky ndërgjegjësim do vijojë edhe përmes takimeve në shkolla në disa rrethe të Shqipërisë, për të shpërndarë informacione, për të zhvilluar lojëra dhe njëkohësisht për të ndihmuar të rinjtë të identifikojnë dhe parandalojnë situatat bulluese.
Duke nisur nga sot, çdokush mund të kontribuojë me këtë ndërgjegjësim, mjafton të shpërndani linkun e quizzit www.bullyproof.al me adoleshentët dhe të rinjte që keni rreth vetes apo të ri-shpërndani imazhet e tregimeve grafike nën #stopbullizmit, #mosutremb #nukjevetem dhe #fol.