Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se serbët e Kosovës në takimin që kanë zhvilluar sot, i kanë kërkuar të tërhiqen nga institucionet e Kosovës, ndërkohë që ai është përgjigjur se kërkesës së tyre do t’i përgjigjet brenda 45 ditëve të ardhshme.
Në takimin që kanë zhvilluar sot në Beograd, përfaqësuesit e institucioneve politike të serbëve nga Kosova kanë kërkuar të tërhiqen për shkak të një situatë tejet të vështirë në të cilën ndodhen, sipas Vuçiç.
“I luta përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që sot të mos u përgjigjem në kërkesën e tyre deri në 45 ditët e ardhshme, deri në takimin me përfaqësuesin kinez. Dëshiroj të bisedoj mbi këtë çështje me të gjithë zyrtarët evropianë dhe botërorë, sepse nëse kjo vazhdon, do të vendosemi në një situatë të pashpresë”, tha Vuçiç në një prononcim për gazetarët.
“Ne do të vazhdojmë të bëjmë thirrje për një politikë të paqes dhe stabilitetit, ndërsa mua më mbetet që me qeverinë (e Serbisë) të vendosim se çfarë do të bëjmë në të ardhmen, sepse kemi ngelë të vetëm”, shtoi ai.
Ndërkohë, drejtori i Zyrës përgjegjëse për Kosovën brenda Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, tha se “nuk janë as afër një zgjidhjeje për Kosovën”.