Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla i ka cilësuar të turpshme e të dënueshme deklaratat e disa prej ish-deputetëve të opozitës, duke iu referuar edhe asaj të Petrit Vasilit.
Balla ndodhet sot përballë një paneli gazetarësh në emisionin “Dritare me Rudinën” në News24 për të folur për zhvillimet e fundit politike.
I pyetur nga gazetarja Rudina Xhunga se nga doli nga parlamenti, referuar protestuesve, Balla tha se ka dalë nga e njëjta rrugë si gjithmonë.
“Kam dalë nga e njëjta rrugë që dal gjithmonë, nga pedonalja që përshkon mes kuvendit dhe një qendre tregtare dhe kam ardhur në Neës24”, tha Balla.
Ai u shpreh më tej se e gjithë Tirana ka qenë në një ditë normale.
“Me përjashtim të rrugës hyrëse tek Rruga e Elbasanit për të ardhur tek godina e kuvendit. Ajo që po shohim është një proces vetëasgjësimi i PD-së dhe LSI-së. Kemi dëgjuar që ish-kolegë, Petrit Vasili kanë bërë thirrje. Është akt i turpshëm i dënueshëm, nëse do të guxonte ndokush që të atakoheshin deputetët e kuvendit të Shqipërisë është një vepër penale dhe kushdo do marrë ndëshkimin”, tha Balla.
Sipas tij, u përsërit i njëjti skenar i 16 shkurtit ku PD përdor persona të inkriminuar. Më tej Balla tha se në protestë ishin punonjës të administratës së bashkive Kamëz, Vorë e Shkodër.
“Kujtojmë se dy nga të arrestuarit janë të dënuar për trafik droge. Ju keni parë pamje të qartë se si njerëz nga administrata e bashkisë Kamëz, bashkisë Vorë, bashkisë Shkodër dhe nga ujësjellësi Shkodër”, tha ai.
Balla theksoi se protestuesit janë identifikuar dhe se nesër policia do bëjë të ditur emrat e atyre që kanë përdorur dhunë. “Patjetër, besoj që nesër institucionet e policisë së shtetit do të bëjnë të ditur dhe emrat e personave që kanë përdorur dhunë. Persona e identifikuar si të dhunshëm do të marrin ndëshkimin e merituar”, u shpreh Balla.