Thirrja e sindikatave të pavarura më 19 shkurt 1991, për protestë masive nëse nuk plotësoheshin kushtet e studentëve të Universitetit të Tiranës, (28 vjet më vonë – historia duket sikur përsërit vetveten) do shënonte fillimin e demonstrimeve më të mëdha antikomuniste në Shqipëri.
Një ditë më vonë kryeqyteti do të kthehej në një shesh beteje dhe në rrugë dolën tanket. Turma ishte nisur për te Blloku i udhëheqjes komuniste, por u zmbraps edhe pas thirrjeve të arkeologut Neritan Ceka, shkruan Lapsi.
Kjo nuk i ndaloi protestuesit, të bënin atë që shumica as që e mendonte: rrëzuan bustin e diktatorit Enver Hoxha në Sheshin Skënderbej.
Shembja e simbolit të komunizmit shqiptar, u parapri nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e diktatorit dhe njëkohësisht shënoi fundin e diktaturës në Shqipëri.
Niste një epoke të re, ajo e demokracisë, ndërkohë që historia e protestave, ndonëse jo me atë fuqi, përsëritet shpesh.