Skenaristi dhe shkrimtari Kiço Blushi është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare.
Prej dy vitesh Blushi vuante nga një sëmundje e rëndë. Shkrimtari dhe skenaristi Kiço Blushi lindi në qytetin e Korçës në 23 gusht të vitit 1943. Pas mbarimit të studimeve të larta për letërsi shqipe dhe ruse, filloi punën si redaktor pranë Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) dhe në vitin 1974 kaloi si redaktor në Kinostudion “Shqipëria e Re”.
Skenari i tij i parë ishte ai i filmit “Çifti i lumtur” në vitin 1975 si bashkautor. Me skenarin e filmit “Beni ecën vetë” në vitin 1975 u vlerësua me Çmimin e Republikës së Klasit III. Ka shkruar 14 skenarë filmash artistikë dhe dy skenarë filmash dokumentarë dhe vizatimorë.
Më 20 shkurt të vitit 1991 thirret nga ish-presidenti Ramiz Alia që të merrte pjesë në Këshillin Presidencial. Nga viti 1991 deri në vitin 2006 ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i forcës politike Partia Socialiste.
Me dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Publik Shqiptar, u largua nga politika aktive. Kiço Blushi ishte Kryetar i Bordit Drejtues të Qendrës Kombëtare të Kulturës.
/a.rada