Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi në një studio televizive se fruthi nuk qarkullon vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon dhe Europë dhe nuk ka vend për alarm.
“Është një raporti i Institutit të Shëndetit Publik që thotë janë 51 raste me fruth, në 120 raste te dyshuara. Fruthi nuk qarkullon vetëm në Shqipëri por edhe në rajon dhe Europë. Detyra që kemi është parandalimi. Kryesisht mosha më e prekur është ajo nën 2 vjeç, kjo për shkak se ose nuk janë vaksinuar ose kanë shtyrë datën e kalendarit të vaksinimit. Dua t’u bëj apel prindërve që të mos hezitojnë të bëjnë ose neglizhojnë vaksinimin. Vaksina mbron dhe shëron jetën ndaj të gjithë prindërit nuk duhet ta neglizhojnë vaksinimin.
Manastirliu tha ndër të tjera se vaksinat që vijnë në Shqipëri janë 100% të sigurta dhe të certifikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
“Vaksinat që vijnë në Shqipëri janë të sigurta dhe janë 100% cilësore, të certifikuara nga OBSH. Shqipëria është ndër vendet me 95% të vaksinimit madje mbi 68 mijë vaksnime janë kryer jashtë kalendarit, nga individët e viteve 1980-1990”, -tha Manastirliu.
Lidhur me kulturën e depistimit të hershëm, pra kontrollit të vazhdueshëm dhe kapjes në kohë të sëmundjeve të ndryshme, ministrja tha se Shqipëria nuk është në nivelin e pritshëm.
“Për fat të keq, kultura e kujdesit ndaj vetes nuk është në nivelin e pritshëm ndaj edhe detyra jonë është që të parandalojmë. Programi i kontrollit bazë është ndër programet me të mira për të parandaluar sëmundjet e hershme dhe për të parandaluar problematika. Kemi një program të ri, që është miratuar dhe financuar këtë vit. Brenda muajit shkurt fillojmë programin kundër qafës së kancerit të mitrës tek gratë. Është falas për të gjitha gratë. Të gjitha shërbimet e kujdesit parësorë sidomos për semundjet tumorale janë falas për gratë. Sipas ISHP janë 5500 raste ne vit të prekura nga tumoret. Lidhur me vdekshmërinë jemi në profilet e vendeve europiane dhe të rajonit”, -shtoi ajo, ndërsa vuri në dukje se dy llojet e kancerit më të përhapur është ai i mushkërive dhe gjirit.
/a.rada