Një 36-vjeçar shqiptar është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Gjermanisë, i dënuar me 6 vite burg për veprën penale “Krime që lidhen me drogën”. Po ky shtetas në hyrje të kufirit shqiptar nuk deklaroi disa pajisje elektronike, me qëllim që të shmangte detyrimet doganore.
Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar të Kapshticës, nga shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me Interpol Tirana është arrestuar provizorisht shtetasi D. P., 36 vjeç, lindur në Gjermani dhe banues në Greqi, pasi ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me 6 vite burg nga Gjykata Rajonale Hamburg, Gjermani, për veprën penale “Krime që lidhen me drogën”.
Nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare të Kapshticës, këtij shtetasi i janë konstatuar edhe disa pajisje elektronike të cilat ky i fundit nuk i kishte deklaruar në kufi me qëllim shmangien e detyrimeve doganore.
Ndaj tij, specialistët e seksionit për Krimin Ekonomik referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë për pajisjet e padeklaruara në kufi, si dhe u bë arrestimi provizor me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë./a.meta