Nga Lorenc Vangjeli
Dy zonja gazetare, profesioniste të njohura prej shumë vitesh dhe një djalë i ri, i panjohur më parë, janë vënë nën një spirale të pabesueshme histerie puritanësh mediatikë. Rudina Magjistari dhe Bieta Sulo, drejtuese të dy emisioneve të përditshëm të mbasditeve në TV Klan dhe Top Channel, kanë marë një breshëri të pafundme kritikash për shkak të intervistave të tyre me një personazh kontravers. Të dyja ato kanë pasur në studion e tyre një të ri nga Berati që është vetafruar si piktor me famë ndërkombëtare. Ndjekësit e emisioneve bënë kërkimin e thjeshtë në internet dhe zbuluan çfarë në fakt duhej të ishte zbuluar më parë: piktori kishte gënjyer për shumë arsye ose edhe thjesht për një arsye të vetme: donte dhe ai dhjetë minuta lavdi në botën gjithmonë e më sipërfaqësore të lavdisë publike në Tiranë.
Të gabosh është njerëzore dhe të paguash për të, është akt normal në një botë normale. Ndodh jo rrallë të gabohet pa dashur në media, aq më tepër në një ambient të egër si televizioni, ku konkurrenca, nguti dhe presioni i ditës është i jashtëzakonshëm. Ekranet janë një planet plot me dritëhije në vend të ngjyrave, ku e vetmja gjë me dritë dhe në dritë të vërtetë janë projektorët; është make up-i dhe jo portretet. Por teprimi është gjithmonë edhe më i dëmshëm se vetë akti. Dhe aq më tepër shitja e rastit të dy kolegeve si një rast i veçuar dhe tentative për ta kriminalizuar atë në ekstrem. Fake Neës apo gënjeshtra televizive është tashmë një gjë që e gjen rëndom, përdoret rëndom dhe përballë tij, të vërtetat alternative janë gjithmonë e më të rralla. Por qëndrimet ndaj tyre janë të ndryshme. Dhe kjo e bën kaq hipokrite qasjen kritike ndaj gazetareve Magjistari e Sulo.
Shembujt janë të plotë. Ato fillojnë që me programet elektorale të partive, oferta që gjithmonë e më shumë kanë pak të bëjnë me çfarë ndodh në realitet. Vazhdojnë me deklarime politikanësh profesionistë apo njerëzish të improvizuar si politikanë që marin rrogë si nëpunësa parlamenti, të cilët bashkohen me të vërtetën minimale njëlloj si uji me vajin. E kështu me rradhë, në të gjithë piramidën e shoqërisë shqiptare, nga maja e saj e deri në skajet fundore. Por këto gënjeshra nuk mbahen shënim nga askush, madje gara për gënjeshtrën më të madhe është gjithmonë e hapur dhe konkurruese dhe mbartësit e tyre, e kanë shumë më të gjatë se dhjetë minuta lavdinë e tyre vetjake.
Edhe piramida tjetër “estetike” me të quajturit VIP-a shqiptare, modele, artistë, këngëtarë a gjithëfarë tjetër “krijuesi”, që garojnë në botën virtuale të klikimeve, të sukseseve të pafundme, është ngritur si një ndërtim pa leje. Ata drithërojnë botën, lenë pa frymë SHBA-në, trondisin Britaninë e Madhe apo pushtojnë Gjermaninë; këta janë titujt normal të mediave që nxitojnë t’u japin dafinat e lavdisë dhe t’i shesin në treg si Maratonomakë suksesi. U legalizojnë një tempull nderimi ku të gjithë përkulen, xhelozohen dhe shpresojnë herët a vonë të hyjnë për të parë turmën që t’i brohorasë në dhjetë minuta lavdi.
Shoqëria shqiptare është mësuar me gënjeshtrën. Të jesh në Shqipëri ajo të bën pak përshtypje, por rikthimi në atdhe mbas një shkëputjeje sado të shkurtër jashtë, e rikthen në çast kundërmimin jonatyral të saj. Njëlloj si aromat delikate në një parfumeri që mbas pak kohe brenda dyqanit nuk ndjehen më ose për të qenë më diskretë, njëlloj si sikleti i aromës së rëndë në një tualet publik, e cila zhduket me kalimin e kohës.
Eshtë një vend që falsitetin e ka ngritur në kult. Në politikë, në art, në biznes apo dhe në jetën e zakontë të secilit. Që nga fermeri që ngjyros domatet apo ushqen viçin me hormone që ta shtojë në peshë e deri në Facebook apo Instagram ku modele ekspozojnë buzë, gjoks e vithe silikoni për të shtuar ndonjë lek në llogari. Dhe ku të gjithë bashkë shesin e jetojnë për të shitur një jetë fallso.
Në gjithë këtë panoramë të zymtë, sulmi gjithë zulmë mbi një gënjeshtar të pafajshëm province dhe dy zonja gazetare, është më së paku hipokrit dhe i padrejtë. Eshtë aksiomë e provuar prej shumë kohësh se nuk ka qenie më të rrezikshme se profetët e rremë, nuk ka individë më mëkatarë se puritanët e rremë dhe më moralist se ata që virgjërojnë ditën për të prostituuar natën. Të gjithë ata bashkë kanë një veçanti. Dallohen lehtë nga zelli për të hedhur gurë mbi viktimën e rradhës. Kësaj here, gurët mediatikë mbi dy gazetaret e talentuara Magjistari e Sulo vlejnë dhe për diçka tjetër: shërbejnë për të fshehur vesin vetjak mbas atyre gurëve moralë. (JAVANEWS)
a.c