Nga Lorenc Vangjeli
Në fatkeqësinë e tij personale, në bastin e egër me drejtësinë e mbas kuriozitetit të parë për të, tashmë Klement Balili prodhon vetëm psherëtima lehtësimi për ata që e donin në pranga dhe ankth për shumë të tjerë, që në rrethana, kohë dhe vende të ndryshme kanë pasur lidhje me të. Sot në arrest ai është ish-pesha e rëndë për dikë të lëhtësuar nga këmbët dhe për dikë tjetër rëndon edhe më shumë se në ish-lirinë e tij. Lista e tyre përfshin një numër të madh njerëzish që kanë pasur lidhje të çfarëdo lloji me këtë personazh kontravers. Dhe jo domosdoshmërisht vetëm lidhje kriminale, siç është shumë e lehtë të supozohet në yryshin e zakonshëm që mer në raste të tilla imagjinata e hetuesve folklorikë në Tiranë.
Në kushtet kur politika kishte interesim të jashtëzakonshëm për Balilin, kur historitë me cannabis grek duken si karamele përballë dyshimeve të pathëna për lojërat me kokainë, ngjan se është hapur vetëm prologu i një historie që nisi në Shqipëri, vazhdoi në Greqi, që ka ngjallur interes në Shtetet e Bashkuara dhe ka turbulluar shumë ujëra, sërish në vendin e origjinës, në Shqipëri.
Kokaina dhe jo cannabis-i kanë bërë me dhembje koke ata që e përmendnin emrin e këtij personazhi të shndërruar në yll televiziv; me fjalë që i peshohen sikur i lexon nga Librat e Shenjtë, me dëshmi që i analizohen si fjalë apostujsh, me mimikë që i hetohet si aktor hollivudian, me nëntekste që i atribuohen, me shpresa të shtuara dhe të shuara të atyre njerëzve që kanë qenë peng i dobësive njerëzore edhe përballë tij.
Në këto kushte, askush nuk kishte pikën e dyshimit se Balili do të presë në qeli deri kur drejtësia do të shprehet për vitet e tjera që i duhet të jetë sërish i privuar nga liria. Vlerësimi i masës së sigurisë për të ishte një ushtrim fare i thjeshtë që nuk do të kërkonte më shumë se njohuritë e një studenti juridiku në semestrin e parë të vitit të parë.
Askush nuk kishte dyshim, që mbas “fajësisë” publike që i është provuar atij edhe përpara se të shkonte në gjykatë, mbas “kush e ka rradhën” të ambasadës amerikane, mbas ndeshjes politike për të, e mbi të gjitha, mbas dyshimeve të forta që Balili është përfshirë në veprimtari të forta kriminale, një pjesë e të cilave ende të panjohura, gjykatësit do të firmosnin arrestin me burg deri në përfundim të hetimeve.
Ky personazh i botës së errët i plotëson njëri mbas tjetrit të gjitha kërkesat e Kodit të Procedurës Penale për t’u arrestuar dhe për ta pritur në qeli sfidën për t’i provuar fajësinë. Që nga zgjedhja e tij për të qëndruar në arrati dhe frika për t’ju shmangur drejtësisë e deri tek rreziqet reale që ai mund të krijojë për marjen e provave apo dhe vetë personalitetin e tij. Por pikërisht duke u nisur nga ky rast ekstrem, mund të bëhet një gjykim që tingëllon ekstrem për rrethanat e Shqipërisë. Një gjykim që përfshin një brigadë me më shumë se një mijë vetë, një aradhë keqbërësisht në arrati, që janë gjithashtu të shpallur në kërkim.
Po sikur Kodi i Procedurës Penale të parashohë një tjetër zgjidhje alternative dhe të ndryshme thelbësisht për një kategori personazhesh nga gjithë kjo galeri frike?
Po sikur të veprohet me një pjesë të tyre si në SHBA, për shembull?
Po sikur në vend të prangave dhe arrestit deri në fund të hetimit, për një kategori të gjerë banditësh të dyshuar si të tillë, të vihet shtrëngimi me para dhe garancia pasurore?
Po sikur të kuptohet më në fund në Tiranë se në kapitalizëm, paraja është gracka që kap gjithkënd dhe se paratë janë shumë më të forta edhe se aksionet e policisë?
Po sikur të kuptohet se në kapitalizëm, në fund të fundit, gjithçka është një vlerë në shifra, madje edhe vetë liria apo burgu?
Domethënë, sikur një pjese të madhe të Balilëve të arratisë, të dramave vetjake e familjare, të dramës së gjithë shoqërisë dhe aksioneve të pafundme të policisë, t’u thuhej në Kodin e Procedurës Penale: vazhdoni lirinë tuaj, por do të leni peng në bankë para për të shmangur arrestin e parakohshëm. Dhe që kush i shmanget vullnetit të gjykatësit, i humb ato para në favor të shtetit që paguan sërish për kapjen e të ikurit?
Kush nuk e kupton këtë, përpara se të hapë librat që janë një mundim i madh për të paditurit, le të kujtojë filmat që rrëfejnë për gjykatës që vendosin edhe për vrasës të dyshuar, lirinë me kusht e garanci deri në dhënien e vendimit përfundimtar për ta.
Natyrisht që një gjë e tillë është alternativë. Edhe pse ngjan si utopi në Shqipëri. Ku për arreste të këtij lloji askush nuk flet dhe kur dënimi alternative është ende një praktikë që nuk njihet pothuaj fare.
Në Shqipëri një gjyqtar quhet mëkatar vetëm nëse nxjerr një fajtor jashtë burgut, por konsiderohet profesionist edhe nëse mban brenda në burg 99 të pafajshëm.
Sepse Shqipëria është ende një vend me mentalitet të thellë sovjetik e nën pushtetin e egër të parimit stalinist që gjithkënd që e dyshon si fajtor, e parakonsideron fajtor.
Dhe në këtë pikë, jemi të gjithë mëkatarë, pavarësisht se dikush ka shpresë tek reforma në drejtësi e dikush tjetër është skeptik ndaj saj. Kush më shumë e kush më pak, të gjithë jetojmë, gjykojmë e sillemi si bij të vonuar të Leninit të sovjetëve. Bashkë me Balilët, yjet televizivë që na dëshmojnë krizën e identitetit tonë të dyzuar: duam marrëzisht Perëndimin, por jemi Lindorë deri në marrëzi!