Intervistën e parë pas marrjes së drejtimit të Ministrisësë Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi e ka dhënë për gazetarin Endri Xhafo në A2 CNN. Ai ka treguar pikat kryesore dhe prioritetet e punës së tij në krye të këtij dikasteri.
‘E kam shfrytëzuar kohën nga komunikimi i vendimit prej Kryeministrit deri në nisjen zyrtare të detyrës që të futem më në brendësi të sektorit. Vlerësoj se pikat kryesore të punës në këtë ministri do të jenë mbështetja financiare për bujqësinë; forcimi i industrisë agropërpunuese dhe peshkimit; investimi në kanalet ujitëse; diversifikimi i ekonomisë bujqësore; konsolidimi i fermave dhe padyshim siguria ushqimore, e cila ka një rëndësi tejet të madhe’, tha ministri Çuçi.
Ambicja jonë si qeveri është që ta çojmë mbështetjen financiare për bujqësinë në rreth 25 milionë euro, theksoi ministri, duke shtuar se vetëm gjatë vitit 2018 ka pasur një buxhet rreth 21-22 milionë euro. Në vijim të intervistës ministri i Bujqësisë përmendi gjithashtu subvencionet përmes projektit IPARD të Bashkimit Europian, që kapin një vlerë prej rreth 90 milionë eurosh. Ai tha se sot Ministria e Bujqësisë ka shkuar në politikën gati zero dokumenta për fermerët që aplikojnë për subvencione.
“Sfida është të nxisim me politikat tona pikat e grumbullimit dhe biznesin bujqësor në mënyrë që të garantojmë zinxhinin nga toka në treg apo nga ferma në tavolinë”, u shpreh ministri duke vënë theksin tek politika zero dokumenta për fermerët që aplikojnë. Çuçi përmendi fragmentarizimin e tokave si një çështje që po merr zgjidhje pasi ishte lënë pa u prekur për 25 vite me radhë./a.meta