Nga Skënder Minxhozi/
Në esencë nuk ndryshon asgjë. Sërish Gent Cakaj do të jetë de facto ministër i jashtëm. Ai do të përfaqësojë, në emër të Edi Ramës, vendin tonë në shumë aktivitete jashtë vendit dhe kjo është një praktikë që njihet gjerësisht në diplomacinë botërore. Rama bëri të vetmen lëvizje të mundshme që i kishte mbetur. Kurse Ilir Meta vetëm sa ja ka dalë që të thyejë dëshirën e kryeministrit për kandidaturën e 28 vjeçarit, si dhe të ulë artificialisht nivelin e përfaqësimit të vendit tonë në rang zv.ministri, në shumë takime ku do të duhej të kishim një shef diplomacie me atribute te plota.
Krizat shqiptare prodhojnë jo rrallë monstra ligjore, institucionale dhe ngërçe që do të bënin me dhimbje koke edhe juristët më të thekur në zanat. Në harkun e shtatë ditëve afat, Presidenti Meta la pa dekretuar shkarkimin e Ditmir Bushatit (një shkelje spektakolare e Kushtetutës) dhe i tha “Jo” Gent Cakajt (edhe kjo mëse e dyshimtë, duke parë dispozitën kushtetuese të dekreteve presidenciale). Pas këtyre shtatë ditëve Shqipëria e pa veten në një situatë ligjore, rreth poltronit të ministrit të jashtëm, që s’ka Komision Venecie zbërthen. Ndërkohë që sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, shteti vijon të jetë pa Gjykatë Kushtetuese.
Në këto kushte, shpikja tjetër e minutës së fundit: kryeministri sposton ministrin në detyrë, duke u bërë vetë ministër i jashtëm. Rezultati: sërish Gent Cakaj de facto ministër, por pa spaleta! Një çorbë që s’ka stomak që e përtyp. Një lëmsh i gatuar me dy duart me të larta të shtetit: ato të kryeministrit, i cili në këtë rast ka edhe një herë më tepër mundësinë të kuptojë se nuk mund të emërojë ministër cilindo që i vjen në mend. Dhe me duart e kryetarit të shtetit, i cili vetëm për inat të Edi Ramës nuk ngurroi asnjë sekondë që ta linte Shqipërinë me një zv.ministër të jashtëm shëtitës, që përfaqëson shefin e tij në Tiranë!
Shqipëria prodhoi kështu një tjetër faqe që bën shkollë më vete në të drejtën kushtetuese dhe që do të habisë shumë studentë të ligjit, në Shqipërinë normale të pas 30-40 vjetëve. Nëse dikujt i vjen në mend të na krahasojë me rastin grek, duhet t’i kujtojmë se situatat që kalonte dhe kalon diplomacia greke ishin dhe janë shumë më komplekse sesa tekat fëminore të krerëve të shtetit shqiptar, që për inat të njëri-tjetrit i venë flakën interesave të të gjithë vendit. Nëse Meta dhe Rama kujtojnë që të dy s’e kanë fituar, njoftojini se kjo histori banale s’ka fitues…