Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi sot mbi situatën më të fundit në gjithë akset rrugore të vendit, ndërsa tërheq vëmendjen për akset ku rekomandohet qarkullimi i automjeteve me zinxhirë.
Sa i takon rajonit jugor të vendit, ARRSH bëri të ditur se gjatë ditës ka pasur reshje bore në Qarkun e Korçës. “Është punuar dhe vazhdon të punohet për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës, por qarkullimi kryhet me zinxhir në rrugën e Dardhës, Volare-Erind-Çajup dhe segmentin fundor të rrugës Berat-Gllavë”, njofton ARRSH.
Aksi kryesor Qafë Thanë-Pogradec-Korçë-Kapshticë, sipas ARRSH-së, qarkullohet pa zinxhir.
Në Qarkun e Fierit, qarkullimi rekomandohet me kujdes për shkak të lagështirës në rrugë.
Sa i takon situatës në rajonin verior, në Shkodër ka pasur reshje bore me intensitet të lartë. “Trashësia është mesatarisht 30-70 cm. Për shkak të vazhdimit të reshjeve të borës dhe temperaturave të ulëta, akset qarkullohen kryesisht me zinxhir. Kontraktorët kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës”, thuhet në njoftimin për shtyp të ARRSH-së.
Ndërkohë, rekomandohet të qarkullohen me zinxhir në akset: rruga Koplik-Bogë, Dedaj-Razëm; Qafë Lac-Koman; Ura Matit-Rrëshen, Shpal-Ura e Repsit; Ura Kukës-Krume dhe Plepa-Kam; Kuben-Vasie; Kukës-Bushtricë dhe Kukës-Ura e Zapodit.
Ndërsa në akset Bajram-Curri-Valbonë dhe Qafë Mali-Fierzë trashësia e borës është rreth 70 cm, ka rënie ortekësh në dy vende, gjë që ka sjellë bllokimin e aksit. ARRSH ka njoftuar Policinë Rrugore për mosqarkullimin në këto akse.
Në të gjithë akset e Peshkopisë qarkullimi bëhet me zinxhir. “Në akset Qafë Drajë, Peshkopi-Ushtelenc, Trebisht-Doganë; Ura Cerenecit – Steblevë dhe Trebisht-Dogane etj; Skuraj – Burrel – Peshkopi qarkullohet me zinxhirë”, njofton ARRSH.
Në aksin Lezhë-Shkodër qarkullimi kryhet pa zinxhir dhe pjesërisht me zinxhir qarkullohet në aksin Shkodër-Hani i Hotit-Tamarë.
Sa i takon rajonit qendror ARRSH njofton se në Qarkun Tiranë, temperaturat kanë qenë të ulëta dhe ka pasur reshje bore. “Është punuar nga kontraktorët për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës.
Po ashtu, akset e Dajtit, Qafë Priskë-Shëngjergj-Qafë Mollë, Krujë-Sarisalltik qarkullohen me zinxhir.
Ndërsa aksi Librazhd-Steblevë është i kalueshëm pjesërisht me zinxhirë.
“Në akset e tjera të këtij rajoni qarkullimi kryhet normalisht pa zinxhir. Ka reshje të pakta shiu. Në Qafë Krrabë qarkullohet pa probleme”, njofton ARRSH.
/a.rada