Ura “Golden Gate” në San Francisko është një ndër pikat turistike më të njohura të qytetit. Disa madje e kanë quajtur një ndër “Shtatë Mrekullitë e Botës Moderne”. Por për disa ajo është porta e fundit drejt vdekjes. Gjatë viteve mijëra vetë janë hedhur nga parmakët e urës në vetëvrasje. Por siç njofton Zëri i Amerikës, së shpejti do të jetë në funksionim një masë parandaluese.
Ura e Artë me gjatësi afro tre kilometra, ka ngacmuar prej kohësh mendimet e atyre që donin të kryenin vetëvrasje. Që pas hapjes së urës në maj 1937, mijëra vetë janë hedhur prej saj. Vitin e kaluar mbi 240 vetë u përpoqën të hidhen, por shumica nuk arritën. Vetëm 33 prej tyre u hodhën nga parmakët e urës drejt vdekjes.
“Po, kam dëgjuar se kryhen shumë vetëvrasje nga kjo urë,” thotë vizitori Josh Cuevas.
“Nuk e dija deri kur më tregoi shoku. Me sa shoh, e kanë rrethuar me gardh parmakun. Ma merr mendja për këtë arsye e kanë bërë,” thotë vizitorja Mai Habib.
Agjencia që menaxhon urën ka filluar ndërtimin e një rrjete për të pritur ata që hidhen.
“Do të jetë rreth 6 metra poshtë trotuarit nga të dyja anët e urës, po ashtu do të jetë rreth gjashtë metra e gjerë që të mos lejojë të bien në ujë njerëzit që hidhen”, thotë Paolo Cosulich-Schwartz i Agjencisë Menaxhuese të Urës së Artë.
Disa njerëz mendojnë se nuk është e nevojshme të shpenzohen gjithë këto fonde për të shpëtuar njerëz që nuk duan të jetojnë më. Të tjerët shqetësohen se rrjeta mund të prishë pamjen madhështore të urës.
Por, pas një debati 10 vjeçar dhe me ndërgjegjësimin më të madh të publikut për problemet e shëndetit mendor, projekti po merr formë. “Rrjeta e sigurisë është projektuar për të mos dëmtuar pamjen e urës,” thotë zoti Cosulich-Schwartz.
Rrjeta do të jetë poshtë urës, pra kur makinat kalojnë mbi urë, apo kur njerëzit ecin në trotuarin e urës, nuk e shohin dot. Kabllot që mbajnë rrjetën do të jenë ngjyrë portokalli për t’iu përshtatur ngjyrës së urës. Rrjeta do të jetë ngjyrë gri për t’i përngjarë ngjyrës së ujit të oqeanit.
Rrjeta do të kushtojë rreth 211 milionë dollarë dhe vendosja e saj do të përfundojë pas afro tre vjetësh. Problemi kryesor do të jenë mjegulla e dendur dhe erërat e forta.
“Tani mund të shihni punëtorët që po instalojnë platformën e punimeve. Me këtë platformë do të lëvizin punëtorët që do të zbresin poshtë urës dhe do të punojnë nën urë dhe në anët e urës. Së pari, do të instalojmë hallkat e çelikut dhe tubat që do të mbajnë rrjetën dhe më pas vendoset rrjeta,” shpjegon zoti Cosulich-Schwartz.
Telefona specialë që lidhen 24 orë në ditë me linjat telefonike të krizave kanë qenë instaluar prej kohësh në qoshet e urës për të ndihmuar personat që po kalojnë momente të vështira. Pra individë që gjenden në momente të trazuara mund të vijnë tek ura dhe të flasin me dikë që i ngushëllon dhe të heqin dorë nga planet për vetëvrasje. Por me vendosjen e rrjetës, besohet se do të shpëtohen edhe më shumë jetë./a.meta